E Diel, 1 Nëntor 2026

ZVICËR – SHBA dhe Irani rikthehen në tryezën e negociatave mes tensioneve të reja në LM

LUCERNË, 21 qershor /ATSH-AFP/ – Bisedimet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit pritet të rifillojnë sot në Zvicër, pas një shtyrjeje të shkaktuar nga përshkallëzimi i dhunës në Liban.

Delegacionet e të dy vendeve kanë mbërritur në vendin pritës, ndërsa synimi kryesor është avancimi i marrëveshjes paraprake për programin bërthamor iranian dhe ruajtja e armëpushimit të brishtë në rajon.

Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance deklaroi se fokusi i bisedimeve do të jetë programi bërthamor i Iranit dhe situata në Liban.

Sipas tij, negociatorët amerikanë kanë bërë përparim në aspektet teknike të marrëveshjes, por mbeten ende çështje të rëndësishme për t’u zgjidhur gjatë dy muajve të ardhshëm.

Tensionet u rritën pasi Izraeli kreu sulme vdekjeprurëse në Liban, ndërsa përplasjet me Hezbollah vazhduan edhe pas shpalljes së një armëpushimi të ri.

Të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të marrëveshjes, duke shtuar pasigurinë mbi stabilitetin e rajonit.

Në reagim ndaj zhvillimeve në Liban, Irani njoftoi se do të mbyllte sërish Ngushticën e Hormuzit, duke akuzuar SHBA-në dhe Izraelin për mosrespektim të angazhimeve të marra.

Ngushtica e Hormuzit është një nga rrugët më të rëndësishme detare në botë për transportin e naftës dhe gazit, ndaj çdo kërcënim për mbylljen e saj shkakton shqetësim në tregjet globale. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›