E Diel, 1 Nëntor 2026

Ceca për ATSH-në: Berati pret turistët gjatë gjithë vitit, zgjerojmë ofertën në fshatrat piktoreskë dhe male

TIRANË, 21 qershor/ATSH/ Nga Kalaja dhe lagjet muzeale te agroturizmi, rafting-u dhe gastronomia, Berati po ndërton një ofertë turistike gjithëvjetore, teksa synon të rrisë kohëzgjatjen e netqëndrimit të turistëve.

Kryetari i bashkisë Berat, Ervin Ceca, në një intervistë për ATSH-në theksoi se “Berati po konsolidon gjithnjë e më shumë profilin e tij si një destinacion turistik gjithëvjetor, me një ofertë që shtrihet nga janari deri në dhjetor, ku sigurisht që ka muaj ku arrin piku, zakonisht në muajt e pranverës, verës dhe deri në vjeshtë. Por tashmë Berati ka krijuar një ofertë që tërheq vizitorë në çdo periudhë të vitit”.

“Një nga zhvillimet më të rëndësishme të viteve të fundit është pikërisht shtrirja e sezonit turistik përgjatë gjithë vitit, ndërsa prioritet mbetet rritja e numrit të netqëndrimeve dhe zgjerimi i alternativave për vizitorët”, tha Ceca.

Sipas tij, synimi kryesor i bashkisë është rritja e kohëzgjatjes së qëndrimit të turistëve në qytet.

“Kjo kërkon shtim të investimeve dhe ecjen me të njëjtin ritëm zhvillimi. Ndërtimi i zipline në Roshnik, kryeqendrën e agroturizmit, është një hap drejt këtij synimi, por nuk është i vetmi. Ne po punojmë për të krijuar një ofertë sa më të larmishme për turistët”, u shpreh Ceca.

Kryebashkiaku Ceca tha se Berati ka një potencial të madh turistik, që shkon përtej një sezoni tradicional.

Duke folur për numrin e vizitorëve, Ceca bëri të ditur se referuar të dhënave kryesore që merren nga hyrjet në Kala, biletaritë e muzeve dhe strukturat akomodues deri më sot që flasim jemi në shifrat e mbi 30 mijë vizitorëve, ndërsa vetëm për Muzeun “Onufri” kemi një rritje prej rreth 4% më shumë se në vitin 2025. Megjithatë, duhet qartësuar se jo të gjithë turistët që vijnë në Berat vizitojnë muzeun. Për këtë arsye, të dhënat nga strukturat hoteliere janë gjithashtu një orientim i rëndësishëm për të kuptuar ecurinë e turizmit”.

Sipas tij, Berati po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë nga tregjet ndërkombëtare.

“Turistët vijnë nga nga Gjermania, Austria, Anglia, Franca, Spanja dhe vende të tjera. Potencialet që ka qyteti ynë kanë bërë që Berati të jetë pjesë e itinerareve turistike të vizitorëve vendas dhe të huaj”, u shpreh Ceca.

Një ndër atraksionet që ka rritur ndjeshëm numrin e turistëve është edhe turizmi i aventurës dhe aktivitetet në natyrë.

“Potencialet që ka qyteti ynë kanë bërë që sportet outdoor të marrin një hov. Në pranverë nisi sezoni i rafting-ut në kanionet e Osumit, një prej sporteve më të dashura për turistët vendas dhe të huaj. Gjatë verës kemi hiking, si në kanione, ashtu edhe në malet që rrethojnë Beratin, Tomorin dhe Shpiragun”, tha Ceca.

Sa i përket gastronomisë, Ceca tha se “Berati është kryeqendër e agroturizmit, ka kantinat, verën e mirë, shoqëruar këto edhe me mikpritjen dhe risinë e zonjave të kuzhinave që u mësojnë turistëve recetat tradicionale, e bëjnë Beratin një destinacion ideal”.

Pikat kryesore që vijojnë të tërheqin turistët mbeten Kalaja, lagjet muzeale Mangalem dhe Goricë, lumi Osum, Muzeu “Onufri”, zonat rurale ku agroturizmi është zhvilluar ndjeshëm, si dhe bulevardi kryesor i qytetit.

“Kalaja, Mangalemi dhe Goricë janë zemra e Beratit. Vitet e fundit këto zona kanë pasur një zhvillim të madh me lokale dhe restorante me pamje nga njëra-tjetra dhe nga lumi Osum që i ndan. Këto janë asetet që, së bashku me natyrën, kulturën dhe gastronominë, e bëjnë Beratin një destinacion të kërkuar gjatë gjithë vitit”, tha Ceca.

Berati është një nga qytetet më të rëndësishme turistike në vend, duke ndërthurur trashëgiminë kulturore me natyrën, aventurën dhe traditën kulinare. Përmes investimeve në infrastrukturë, promovimit të vlerave lokale dhe zgjerimit të ofertës turistike, synimi është që qyteti të vijojë të tërheqë më shumë vizitorë dhe të shndërrohet në një destinacion të qëndrueshëm, me vizitorë gjatë gjithë vitit.

1 nga 11

/k.s/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›