E Diel, 1 Nëntor 2026

ZVICËR – Vala e të nxehtit detyron mbylljen e centralit bërthamor

GJENEVË, 25 qershor /ATSH/ – Centrali bërthamor Beznau në Zvicër mund të ndalojë përkohësisht punën që të premten, për shkak të valës së të nxehtit që po prek vendin, njoftoi sot operatori “Axpo”.

Sipas kompanisë, vendimi mund të merret si pasojë e rritjes së temperaturës së lumit Aare, i cili furnizon me ujë ftohës reaktorët e centralit.

Nëse temperatura e lumit mbetet mbi 25°C, për tre ditë rresht, pas rikthimit të ujit të ngrohur nga sistemi i ftohjes së reaktorëve, centrali duhet të ndalet për të mbrojtur florën dhe faunën lokale.

Autoritetet kanë bërë të ditur se prodhimi i dy reaktorëve, që janë rreth 55-vjeçarë, është ulur tashmë përgjysmë që nga e marta.

Uji i marrë nga lumi Aare përdoret për ftohjen e reaktorëve, por gjatë procesit ngrohet disa gradë, përpara se të rikthehet në lumë, duke rritur kështu temperaturën e përgjithshme të ujit.

Centrali “Axpo” mund të vazhdojë punën, vetëm në rast se është shumë i domosdoshëm për furnizimin me energji elektrike, stabilitetin e rrjetit ose sigurinë bërthamore. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›