Zaçaj: Kuvendi të dërgojë në Kushtetuese mocionin për mandatin e Xhaçkës

TIRANË,10 korrik/ATSH/Gjykata Kushtetuese ka urdhëruar Kuvendin e Shqipërisë që t’i dërgojë mocionin e paraqitur nga opozita për shqyrtimin e mandatit të deputetes së PS-së, Olta Xhaçka.
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj deklaroi sot se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk është ekzekutuar nga Kuvendi i Shqipërisë dhe se duhet të jetë pikërisht Gjykata Kushtetuese ajo që duhet të vlerësojë nëse mandati i deputetes Olta Xhaçka është apo jo në konflikt interesi.
Në vendimin e marrë sot, Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar vendimin e Kuvendit për të mos çuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën e deputetëve të PD-së në lidhje me mandatin e Xhaçkës.
“Gjykata vlerësoi se përmes vendit të marrë nga Parlamenti, Kuvendi i Shqipërisë ka vënë në diskutim fuqinë detyruese të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për zbatim. Vendimet e Gjykatës kushtetuese kanë forcën dhe fuqinë e ligjit dhe asnjë organ s’ka të drejtë ti vërë në diskutim apo të mos i zbatojë”, tha Zaçaj.
Sipas Kryetares së Gjykatës Kushtetuese, kërkesa e deputetëve të Partisë Demokratike është pranuar pjesërisht. “Kuvendi i Shqipërisë duhet të dërgoi pa vonesë mocionin për vlerësimin e konfliktit mbi mandatin e deputetes Olta Xhaçka”, tha Zaçaj.
Gjykata Kushtetuese në vendimin e parë të marrë prej saj kërkoi nga Kuvendi që çështje e konfliktit të interesit të mandatit të Xhaçkës të vlerësohej nga Gjykata Kushtetuese dhe jo nga Kuvendi.
Kuvendi pas këtij vendimi, mori një vendim të dytë ku votoi sërish mos dërgimin e çështjes së mandatit të Xhaçkës në Kushtetuese.
Pikërisht për këtë vendim një grup deputetësh të PD ju drejtua sërish Gjykatës Kushtetuese, që e gjeti kërkesën pjesërisht të drejtë.
Gjykata theksoi se vendimi i saj që ka vendosur detyrimin e Kuvendit për të dërguar në Gjykatë mocionin e 1/10-ës së deputetëve për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit, është i detyrueshëm për zbatim.
Kjo do të thotë se Kuvendi (deputetët e tij) duhet të votojë në përputhje me urdhërimin e Gjykatës, pasi ky votim nuk është një procedurë e zakonshme parlamentare dhe si e tillë nuk ka të bëjë me parimin e mandatit jodetyrues të deputetit, por është në kuadër të ekzekutimit të vendimit të Gjykatës.
Në kuadër të kësaj vendimmarrjeje, Gjykata thekson se Kuvendi mbart detyrimin për ekzekutimin pa vonesë të këtij vendimi.