E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Zaçaj pret nxënësit e shkollave 9-vjeçare të kryeqytetit, u njohën me doracakun “Kushtetuta ime”

TIRANË, 27 nëntor /ATSH/ Gjykata Kushtetuese organizoi sot një ditë të hapur me një grup nxënësish nga shkollat nëntëvjeçare “Edith Durham” dhe “Emin Duraku”, të cilët patën mundësinë jo vetëm të vizitonin ambientet e institucionit, por dhe të njiheshin me doracakun “Kushtetuta ime”, një botim ky i prodhuar për herë të parë për fëmijët e arsimit bazë (të klasave të teta dhe të nënta), botim i cili përkon dhe me 26-vjetorin e hartimit të Kushtetutës.

Gjatë këtij aktiviteti në të cilin ishte e pranishme dhe ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, Ruth Huber, kryetarja e kësaj Gjykate Holta Zaçaj bëri një përshkrim të shkurtër të përmbajtjes së këtij libërthi, duke iu shpjeguar me një gjuhë të thjeshtë të rinjve rëndësinë që ka Kushtetuta si ligji themelor i vendit tonë, si dhe disa të drejta të fëmijëve të cilat janë të mbrojtura nga Kushtetuta jonë, si e drejta për arsim, e drejta për të mos u keqtrajtuar/dhunuar, e drejta për të mos u shfrytëzuar për punë.

Gjatë fjalës së saj Zaçaj veçoi gjithashtu, disa vlera shumë të bukura të bashkëjetesës sonë, të cilat Kushtetuta i mbron që në fillim të tekstit të saj, në nenin 3, ku theksohet më konkretisht se të gjithë ne jemi të rëndësishëm dhe gëzojmë dinjitet, të drejta dhe liri të barabarta, se jemi të lirë të kemi mendime dhe opinione të ndryshme e të shumëllojshme politike, t’i shprehim e t’i mbrojmë ato.

“Bashkëjetesa, mirëkuptimi dhe respekti për njëri-tjetrin, edhe pse të ndryshëm, janë të rëndësishme. Është detyrë e të gjithëve ne, të rritur dhe fëmijë, të ruajmë gjuhën tonë të bukur, zakonet, traditat dhe trashëgiminë e të parëve tanë. Së bashku, të rritur e fëmijë, duhet t’i ruajmë këto vlera të shoqërisë të shprehura kaq bukur në Kushtetutë. Kjo mund të jetë një detyrë e vështirë, e cila arrihet vetëm nëse te gjithë ne kontribuojmë për respektimin e tyre. Gjithsecili prej nesh ka një rol të rëndësishëm për ta bërë Shqipërinë një vend më të mirë!” – tha në fjalën e saj Zaçaj.

Ky botim u mundësua në kuadër të projektit “Rritja e transparencës dhe aksesit në drejtësinë kushtetuese”, të mbështetur nga Konfederata Zvicerane e përfaqësuar nga Departamenti Federal i Punëve të Jashtme të Zvicrës, që vepron nëpërmjet Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›