E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

RENEA stërvitet nga forcat speciale GSG9 të Policisë gjermane

TIRANË, 27 nëntor /ATSH/ U zhvillua sot ceremonia e përfundimit të stërvitjes së përbashkët të Repartit Special RENEA dhe Repartit Special GSG9 të Policisë gjermane, për rritjen e aftësive taktike-operacionale të efektivëve të RENEA-s.

Stërvitja e efektivëve të forcave elitë të Policisë shqiptare dhe asaj gjermane, u zhvillua për 5 ditë radhazi, për zgjidhjen e një situate pengmarrjeje, në aeroportin “Nënë Tereza”.

Në ceremoninë e zhvilluar në ambientet e Repartit Special RENEA, morën pjesë drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ilir Proda, komandanti i repartit special RENEA Altin Dardha, komandanti i repartit special GSG9 Kolonel Robert Hemmerling dhe ambasadori i Gjermanisë, Karlfried Bergner.

Gjatë fjalës në këtë ceremoni, drejtori i përgjithshëm Proda vlerësoi bashkëpunimin me partnerët gjermanë dhe theksoi se kjo stërvitje do t’i shërbejë shumë efektivëve të RENEA-s, për rritjen e kapaciteteve të tyre profesionale, të cilat do t’i përdorin në zgjidhjen e situatave të vështira në të ardhmen.

Ai falënderoi qeverinë gjermane dhe kolegët e Policisë gjermane, për mbështetjen e pakursyer dhe i siguroi se Policia e Shtetit është një partnere serioze, profesionale dhe e besueshme për të zhvilluar bashkërisht me partnerët gjermanë, hetime dhe veprime operacionale në luftën e pandërprerë kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe trafiqeve të paligjshme.

Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Karlfried Bergner vlerësoi mikpritjen dhe stërvitjen e përbashkët dhe theksoi se tashmë ndihet më i sigurtë në Shqipëri.

Komandanti i repartit special RENEA Altin Dardha dhe komandanti i repartit special GSG9 kolonel Robert Hemmerling vlerësuan stërvitjen e efektivëve të dy forcave elitë, e cila është një dëshmi e bashkëpunimit dhe besimit të ndërsjellë mes policive të dy vendeve.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›