E Diel, 1 Nëntor 2026

Zaganjori pret Arvizun: Gjyqësor të pavarur, në shërbim të qytetarit

TIRANË-Kryetari i Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori ka pritur në zyrën e tij sot, Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Aleksandër Arvizu.

Zyra për media e Gjykatës së Lartë bën me dije se kreu i prezencës amerikane në vendin tonë ka përkrahur mesazhet e dhëna nga Kryetari i Gjykatës së Lartë gjatë “Javës së Drejtësisë”, për një gjyqësor të pavarur, që është në shërbim të qytetarit dhe shoqërisë. 
  
Kreu i Gjykatës së Lartë, ka vlerësuar ndihmën që Qeveria Amerikane vazhdon t’i japë sistemit të drejtësisë dhe gjyqësorit në vendin tonë.

Duke vlerësuar funksionimin e shtetit ligjor dhe demokracisë amerikane, Zaganjori e ka quajtur një mundësi të mirë përfitimin nga eksperiencat e këtij vendi, në lidhje me mirë administrimin e sistemit gjyqësor.

Nga ana e tij Ambasadori Arvizu, u shpreh se edhe pse Shqipëria ndodhet përballë sfidash të rëndësishme, deri tani janë arritur rezultate të pëlqyeshme në shumë fusha. Arvizu u shpreh optimist se Shqipëria do të ecë me hapa të sigurt dhe të qëndrueshëm drejt zhvillimit.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›