Zakoni i duhanit trashëgohet nga prindërit
Shëndeti Publik, studim në 60 shkolla, 50% e duhanpirësve kanë një prind konsumator
Mosha - Duhanpirja ka zbritur në moshat e vogla, 10 për qind e moshave 11 deri në 15 vjeç janë përdorues të duhanit
Përfundimi - Rreth 50 për qind e grupmoshave të reja që përdorin duhan kanë një nga prindërit duhanpirës
Prova - Njëkohësisht 1/3 e të rinjve që kanë provuar duhanin e kanë provuar para moshës 10-vjeçare
Konsumi - Një duhanpirës konsumon mesatarisht 19.7 cigare në ditë dhe sipas një përllogaritjeje nga Instituti i Shëndetit Publik, të gjithë shqiptarët së bashku shpenzojnë në ditë 1.4 milionë dollarë për cigare
Një studim i fundit i Institutit të Shëndetit Publik del në përfundimin se shumica e të rinjve që konsumojnë duhan, e kanë të trashëguar nga prindërit. Për të qenë më konkret, sipas të dhënave të këtij studimi, ata që kanë prindërit konsumatorë të duhanit janë më të prirë për të pirë duhan. Ekspertët e Shëndetit Publik kërkojnë nga prindërit në radhë të parë ndërgjegjësim e më pas nga të rinjtë të respektojnë ligjin e duhanit, por edhe të bëjnë kujdes, pasi vesi i të pirit duhan është i trashëgueshëm.
Fëmijët që kanë një prind pirës të duhanit janë më të prirë për ta konsumuar atë në kohën e rinisë. Sipas të rinjve të pyetur në 60 shkolla, rezulton se të rinjtë e kanë provuar duhanin në moshë shumë të hershme.
Studimi është kryer në 60 shkolla të vendit. Ndërsa pyetësorit i janë përgjigjur afro 4600 nxënës së arsimit 9-vjeçar dhe të mesëm.
Sipas studimit të ISHP-së, 50 për qind e të rinjve thonë se e
kanë nisur duhanin, pasi kanë parë prindërit e tyre që e konsumojnë atë. Ata pranojnë se cigaren e parë e kanë provuar në moshë shumë të hershme pa i njohur dhe kuptuar dëmet që sjell duhani në organizëm.
Rreth 50 për qind e grupmoshave të reja që përdorin duhan kanë një nga prindërit duhanpirës. Kjo tregon ndikimin që kanë prindërit në vesin e duhanpirjes në grupmoshat e reja. Njëkohësisht 1/3 e të rinjve që kanë provuar duhanin, e kanë provuar para moshës 10-vjeçare. Prandaj i bëjmë thirrje prindërve, të mos u lënë fëmijëve zakonin e të pirit duhan, tha Roland Shuperka, specialist i duhanit, në Institutin e Shëndetit Publik.
Sipas tij, numri i duhanpirësve mund të pësojë ulje, po ashtu edhe numri i cigareve që konsumohen çdo ditë nga konsumatorët e produktit. Shumë duhanpirës do të detyroheshin ta linin atë nëse ligji kundër produkteve të duhanit do të zbatohej.
Ky ligj, shton ai, spo gjen më zbatim, pasi inspektorët sanitarë në të gjithë vendin nuk kryejnë siç duhet detyrën.
Kërkohet zbatimi i ligjit antiduhan, i cili për fat të keq, për një mosreformim të Inspektoratit Sanitar Shtetëror po e çon këtë ligj në momentin më të vështirë të zbatimit të tij. Moszbatimi i këtij ligji është me pasoja të mëdha në Shëndetin Publik, në ekonominë shqiptare, sqaron Shuperka.
Sipas statistikave, 39 për qind e popullsisë janë përdorues të duhanit. Në 10 vdekje, 9 prej tyre kanë qenë përdorues të duhanit. Duhanpirja ka zbritur në moshat e vogla, 10 për qind e moshave 11 deri në 15 vjeç janë përdorues të duhanit.
Sipas ekspertizës demografike rezulton të kemi një rritje të konsumuesve të duhanit që në klasën e 7 apo të 8, të cilët kanë pësuar rritje të ndjeshme krahasuar me vitin 2004. Ndërkohë që shqiptarët renditen të dytët në Europë, duke lënë pas vetëm Turqinë, për sa i takon pirjes së konsumit të duhanit. Sipas Institutit të Shëndetit Publik, mbi 40 për qind e popullsisë shqiptare rezulton të jetë duhanpirëse, statistikë që referon shifrat më të larta të konsumit këto vitet e fundit.
Sipas të dhënave, në vendin tonë numërohen rreth 895 mijë duhapirës dhe më shumë se 265 mijë prej tyre janë femra.
Zakoni i duhanit trashëgohet nga prindërit burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email