E Diel, 1 Nëntor 2026

Zanati që po zhduket, 69-vjeçari Gurkazi Xhemali nga Pojani i Maliqit, ndër të fundit nallbanë

Në një kohë kur transporti dhe bujqësia mbështeteshin kryesisht te kafshët e punës, nallbanët ishin figura të respektuara dhe shumë të kërkuara. Ky zanat kërkonte përvojë, durim dhe aftësi të veçanta. Nallbani Gurkazi Xhemali nga fshati Pojan i Maliqit tregon se është marrë me këtë zanat që në vitin 1979.

“Unë kam 20 vite që bëj këtë punë, që 21 vjeç. Kemi bërë kurs në atë kohë dhe më pas filluam në kooperativë të mbathnim mushkat, qetë”, tha ai.

Nallbani duhej të njohë mirë strukturën e thundrës së kafshës, të përpunojë hekurin dhe ta përshtasë patkoin sipas formës së këmbës. Çdo punë realizohet me kujdes, sepse një gabim i vogël mund të dëmtojë kafshën dhe të pengojë punën e saj tregon nallbani. Ai thotë se edhe pse koha ka ndryshuar, ka ende kërkesa.

“Të gjithë procesin e bëj vetëm, por duhet marrë masa e këmbës së kalit sepse çdo këmbë është ndryshe. Nevojitet 1 orë kohë për të bërë matjet dhe për ta mbathur. Nuk ka punë si më përpara, por vijnë nga e gjithë zona. Zanati nuk të jep ndonjë para të madhe, por në mbrëmje je pa lekë, në mëngjes gdhihesh me lekë”, u shpreh ai.

Megjithatë, nallbanët mbeten pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore dhe historisë së punës tradicionale. Ruajtja dhe promovimi i zanateve të tilla është një mënyrë për të mos humbur një pjesë të identitetit dhe traditës sonë, si dhe për t’ua përcjellë brezave të rinj vlerat e punës artizanale.

Gazetare: G. Manushi

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›