E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbardhen 4 bisedat e përgjuara të Çelmetës,“shakatë” për 7 mln lekë gjobë me karburantet

SHKRUAN: Leonard Bakillari 20-11-2011 10:51

Telefonatat e zv.drejtorit të Metrologjisë, Roland Çelmeta, me vartësit e tij, biznesmenët apo miqtë zbulojnë mënyrën sesi funksiononte kjo Drejtori, me kontrolle të befta në sipërmarrje pa lidhje dhe mbrojtje të bizneseve të miqve

Tiranë Zyrtarët e drejtorisë së Metrologjisë, të prangosur pak ditë më parë për abuzime me detyrën, urdhëroheshin në telefon nga zv.drejtori i Përgjithshëm, Roland Çelmeta. Përveç bisedës së parë, të përgjuar mes tij dhe inspektorit Kristaq Thanasi, përgjimet e tjera tregojnë se Çelmeta urdhëronte vartësit e tij për kontroll. Në telefon ai u thotë inspektorëve të kontrollojnë një karburant, pasi pronari do t’i respektonte pas kontrollit. Por gjithashtu, i porosit që të mos shkojnë në Ndroq, pasi ai i karburantit aty është miku i tij. Nga bisedat e përgjuara rezulton se inspektorët në varësi të Çelmtës “bëjnë shaka” me pronarët e karburanteve, duke u marrë për kolaudim aparatet e peshëmatjes. Një nga bisedat tregon se pronari i një karburanti i telefonon zv.drejtorit Çelmeta, të cilit i thotë se kanë shkuar për kontroll dhe i kanë marrë “ato të peshëmatjes”, për shaka i kanë thënë se është gjobitur me 7 milionë lekë. Episode të tilla janë të shumta në dosjen hetimore, e cila i është përcjellë gjykatës së Tiranës së bashku me përgjimet telefonike të realizuara gjatë hetimeve 6-mujore për këtë çështje. Gazeta “Mapo” zbardh transkriptet e katër bisedave të përgjuara të zv.drejtorit të Metrologjisë, Roland Çelmeta, tashmë i arrestuar për abuzime me detyrën. Në bisedën e parë ai telefonohet nga inspektori Kristaq Thanasi, i cili i thotë se një miku i tij ka dy peshore automjetesh në Porto Romano dhe kërkon dokumentet e tyre. “Bam, bam e mbylla”- i thotë zv.drejtori inspektorit, duke e porositur që pronari i peshoreve elektronike të vinte në Tiranë dhe të merrte letrat në dorë. Në bisedën e dytë, zv.drejtori flet me një prej inspektorëve të cilin e porosit të kontrollojnë një karburant, pasi pronari do t’i respektonte pasi të mbaronin punë. Në të njëjtën bisedë, ai porosit vartësin e tij të mos kalojnë në Ndroq për kontroll, pasi pronari i karburantit është miku i tij. Në bisedat e tjera të përgjuara rezulton se zv.drejtori shkon vetë për kontroll në disa fshatra mes Tiranës dhe Durrësit dhe për këtë i thotë një prej inspektorëve të tij: “Mirë pra, nesër mo të marr unë në telefon e ikim turrna.”

Biseda e parë datë 12.10.2011 numri 647 ka telefonuar numrin 653 në orën 15:42:19

653: He Kiço?

647: Dëgjo. Më mori njëri tani.

653: Po?

647: Një Beni e njof unë atë, ai ka 2 peshore në Porto Romano, kështu automobilistike

653: Ëhë...

647: Po i duhen urgjent se do shkarkojë mallin tani, si t’ia bëj unë, si mendon ti se do dokumentacionin, tha se do kontrollohen.

653: Do dokumentacionin vetëm ai?

647: e,e,e,

653: Kush ia kontrollon?

647: Po do dokumentacionin se ia kontrollojnë këta të anijes. Tha do shkarkohet anija.

653: Bam, bam e mbyllja!

647: Domethënë t’i them sot mbasdite, t’i them dhe Moisiut?

653: Po mor vlla po ...Hajde këtu në Tiranë thuaj, t’i jap letrat në dorë, hajde.

Biseda e dytë datë 28.10.2011 numri 653 është telefonuar nga numri 698

653: Mandi!

698: Landi hë mo, unë desha të të merrja vetë... ça telepatie…

653: Më mori ai shoku, prandaj po të them.

698: ... atje e kam pasur mendjen, tashi jemi këtej nga fillimi.

653: Ëë?

698: Jemi këtej nga fillimi, s’ma merr mendja të vemë gjer atje, e ke fjalën për Eldën ti?

653: Jo mo burrë jo, ke ai që të thashë, aty në Yzberisht mo burrë, ça Elde.

698: Cili Yzberisht, o?

653: Po të thashë dje, o vëlla, të thashë është shoku im, do me bo nji kontroll të asaj edhe të respekton, të gazit që ka aty e ka 6...

698: Kam harruar fare flori dhe s’kam pas mendjen, edhe një herë, ore se po kalojmë nga Elda, po të vemë atje thoju këtyre mos hyni fare në pika thaju.

653: Ku Elda, mo?

698: E ke parasysh Eldën në Ndroq, që vajtëm bashkë?

653: Kë, ai Alpeti, ça është ajo, apo kë?

6987: Elda, Elda, ai katunari që bënte komposto.

653: Kush është ai?

698: Jo, jo, s’kemi vajtur atje... s’ma ha mendja se do ta marrim.

653: Po mos kaloni thuaj, ec thuaj se janë miqtë e Landit, thuaj, hajde!

698: E i them unë, i them unë, edhe desha të thoshja, ma thuaj dhe një herë këtë të Yzberishtit lala, edhe një herë.

653: Shife njëçikë ai mo vlla, shkoni kontroll atij, shkoi bëji një kështu, kontroll atij!

698: Po pra, po, ma thuaj ku në ç’vend është?

653: Sa kalon birrën Tirana, është rruga për në Yzberisht, që futesh te KMY

698: Që futesh ke KMY, si e ka pika emrin mo, apo s’di gjë?

653: Po ku di gjë unë, ai e ka me ngjyrat e Brakës e ka ai, nuk e di si e ka po L. Gj. e ka ky djali.

698: Mirë, ja kur të kalojmë andej po ashtu të kthehemi.

Biseda e tretë datë 2.11.2011 numri 653 ka telefonuar numrin 382

382: Hë Landi?

653: O Goni, ça bone vlla?

382: Hiç vllai, ça bone ti?

653: Ore do i bëjmë një vizitë nesër atyre, atje në Bubq, ke boja?

382: Ë?

653: Nesër në Bubq?

382: Po.

653: Te ajo fabrika atje t’i shkojmë një çikë atyre për kontroll.

382: Të shkojmë unë e ti?

653: Eee.

382: Okej. Ku takohemi?

653: Mirë pra, nesër mo të marr unë në telefon e ikim, turrna.

382: Po mirë, po mirë mo, shumë mirë.

Biseda e katërt datë 8.11.2011 numri 653 ka telefonuar numrin 655

655: Alo?

653: Po.

655: Si ja kalove o Land?

653: Mirë.

655: Zamiri…

653: Kush?

655: Zamiri…

653: Hë Zamir?

655: Si ia kalove, mirë?

653: Mirë mo, mirë.

655: E o, ishin këto morën për gallatë këto të peshëmbajtjes, thanë merre Landin në telefon thuaj i kena vënë 7 milionë lekë gjobë.

653: Kujt, mo vlla?

655: Këtu ke karburanti.

653: Ku kanë vënë gjobë, mo?

655: Po jo mo, thanë për shaka, i thuaj i kanë vënë 7 milionë lekë gjobë!

653: Kush ka ardh aty?

655: Ku e di, ishte nji kokëbardhë, sa ikën një minutë, sa ikën.

653: A ka qenë ai Land, tha për gallatë.

655: Aaaa.

653: Ik e pirdhu thuaj!

655: Ha, ha, ha.

653: Landi o çun i mirë vetë, o çun i mirë, mos e vrit mendjen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›