E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrau kamerieren për një birrë, fshihej në shtëpi me qira në Tiranë

Arrestohet Mirjan Dedja, 28-vjeçari i akuzuar për vrasjen e kamerieres 23-vjeçare Agnesa Thomai në Elbasan. Autori u gjet në një apartament të marrë me qira në rrugën “Luigj Gurakuqi” në Tiranë

Një muaj më parë qëlloi për vdekje një kameriere në Elbasan, ndërsa për t’iu fshehur policisë zgjodhi Tiranën. Mirjan Dedja, 28-vjeçari i shpallur në kërkim për vrasjen e Agnesa Thomait më 21 tetor në Elbasan, u arrestua dje në një apartament të marrë me qira në rrugën “Luigj Gurakuqi” në kryeqytet. Policia e Tiranës njoftoi dje se operacioni i koduar “Momenti i fundit” erdhi pas informacioneve të siguruara në rrugë operative, të cilat zbulonin vendin ku strehohej 28-vjeçari. “Strukturat e Hetimit dhe të Parandalimit të Krimit të Komisariatit të Policisë Nr.1 në Tiranë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Momenti i Fundit“, kanë vënë nën pranga autorin e dyshuar të vrasjes së 23-vjeçares Agnesa Thomai, ngjarje e ndodhur në qytetin e Elbasanit më datë 21 tetor 2011”, - tha dje zëdhënësja e policisë së Tiranës, duke evidentuar kështu një problem të hasur prej vitesh, ku autorët e krimeve shfrytëzojnë Tiranën për t’u shpëtuar prangave. I arrestuari njihej si një person me rrezikshmëri, pasi ishte arrestuar edhe më parë për armëmbajtje pa leje dhe krime kundër personit. Pas arrestimit, Dedja është përcjellë drejt komisariatit të policisë së Elbasanit, ku edhe do të merret në pyetje për krimin që tronditi Elbasanin 1 muaj më parë. Asokohe, Dedja së bashku me 38-vjeçarin Gazmend Selimaj ishte duke konsumuar alkool në lokalin ku shërbente kamerierja 23-vjeçare Agnesa Thomai. Këta të fundit i kanë kërkuar asaj t’u sillte birra, ndërsa vonesën ia kanë “shpërblyer” me plumba pistolete. Kamerierja 23-vjeçare u dërgua me urgjencë drejt spitalit të Elbasanit, ku vdiq dy javë më pas, për shkak të plagës së plumbit të marrë në qafë. Që prej asaj dite, Mirjan Dedja dhe Selimaj ishin shpallur në kërkim për veprën penale të vrasjes, ndërsa njëri prej tyre u arrestua dje në Tiranë. Policia e Tiranës njoftoi dje se 28-vjeçari do të përballet fillimisht me Gjykatën e Elbasanit, ku do të njihet me masën e arrestit me burg e më pas me procesin gjyqësor që po përgatitet kundër tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›