E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbardhen detaje nga negociatat për koalicionin

Dy partitë në Maqedoni VMRO-DPMNE dhe BDI vijojnë edhe sot negociatat për formimin e koalicionit qeveritar.

Agjencia e lajmeve INA mëson se marrëveshja e parë është se këto dy parti kanë rënë dakort për një koalicionin qeverisës duke rënë dakort për ministritë që do të marrin të dyja forcat politike.

Mirëpo, negociatat po zhvillohen mbi kërkesat e BDI-së dhe afatet kohore dhe mënyrat e zgjidhjes së tyre. Mbyllja e rasteve të Hagës përmes interpretimit autentik të Ligjit për amnisti nga ana e Parlamentit, zgjidhja e statusit të UÇK-së përmes “marrëveshjes së Majit të vitit 2007 të arritur midis këtyre dy partive, kur BDI ishte pjesë e opozitës, ndërsa VMRO-DPMNE në koalicion me PDSH-në, kërkesat për ndarje sipas përqindjes adekuate të buxhetit për projektet infrastrukturore dhe zhvillimore si dhe kërkesa të tjera.

Sipas marrëveshjes së arritur jozyrtare dhe jo përfundimtare për ndarjen e ministrive, BDI-së do ti takojnë pesë poste ministrore, pesë poste të zëvendësministrave dhe pesë poste në nivel të sekretarëve shtetëror. Gjithashtu partia që drejton Ali Ahmeti kërkon edhe pozicione dhe udhëheqje në drejtori dhe agjencione të rëndësishme qeveritare dhe shtetërore.

Burime pranë partisë shqiptare në pushtet theksojnë për agjencinë e lajmeve INA se parimisht kanë rënë dakord për të miratuar një ligj për rregullimin e përdorimit më të gjërë të gjuhës shqipe dhe simboleve kombëtare.

VMRO-DPMNE dhe BDI nuk komentojnë dhe nuk japin asnjë detaj lidhur me zhvillimin e negociatave dhe se ato po zhvillohen larg vëmendjes së mediave dhe opinionit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›