Zbardhet atentati me një të vrarë në Gjirokastër, dy të arrestuar

TIRANË, 16 tetor /ATSH/ Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, Altin Merizaj, gjatë një konference për mediat njoftoi se është zbardhur ngjarja e ndodhur më 10 tetor në bulevardin “18 shtatori”, Gjirokastër, ku humbi jetën një shtetas dhe një tjetër u plagos. Policia ka vënë në pranga Behar Zyberi alais Behar Heqimaj dhe Shpëtim Malasin.
Merizaj theksoi se më datë 10 tetor rreth orës 22:00 në bulevardin “18 shtatori”, përballë Prokurorisë Gjirokastër, një automjet tip “Benz”, ka shpërthyer me lëndë plasëse, në lëvizje, ku ka humbur kontrollin dhe është përplasur me trafikndarsen e rrugës.
Si pasojë e këtij shpërthimit ka humbur jetën drejtuesi i automjetit shtetasi Beqir Devolli, 48 vjeç, banues në Gjirokastër dhe ka mbetur i dëmtuar lehtë pasagjeri shtetasi Erigels Mela, 26 vjeç, banues në Gjirokastër.
Sipas tij, për të hetuar dhe zbardhur rrethanat e ngjarjes u ngrit një grup i posaçëm hetimor nga strukturat e hetimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, nën drejtimin e Prokurorisë.
Nga verifikimet paraprake, rezultoi se në brendësi të automjetin të shtetasit Beqir Devolli, konkretisht nën sediljen e shoferit ishte vendosur një sasi lëndë plasëse.
“Nga hetimet intensive me metoda speciale të hetimit, inteligjenca policore, deklarimet e ndryshme dhe ekzaminimet biologjike të provave u arrit të dokumentohet me prova ligjore autorësia e kësaj ngjarje të rëndë”, tha ai.
Sipas tij, në bazë të rezultateve të deritanishme të hetimit, në kuandër të Operacionit Policor “GJURMA” u kapen dhe ndaluan si persona të dyshuar për përfshirje në këtë ngjarje shtetasit: Behar Zyberi alais Behar Heqimaj, 64 vjeç, banues në Fier, i dënuar disa herë për disa vepra dhe në kuadër të grupit kriminal dhe Shpëtim Malasi, 42 vjeç, banues në Patos.
Merizaj theksoi se gjithashtu, u shpallën në kërkim 2 shtetas, të cilët pas ngjarjes janë larguar jashtë vendit, konkretisht: Gentjan Zhupa, 38 vjeç, banues në Tepelenë, me precedent kriminal në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike jashtë vendit. Kliton Omeri, alias Kliton Nanushi, 44 vjeç, banues në Tiranë, me precedent kriminal në krimet kundër personit dhe krimit të organizuar ne drejtim të trafikimit të narkotikëve dhe qënieve njerzore.
“Sipas të dhënave të administruara në kuadër të hetimit, këta shtetas dyshohet se kanë pasur role të ndryshme dhe kanë organizuar vendosjen dhe shpërthimin e lëndës plasëse në automjet me qëllim vrasjen e shtetasit Beqir Devolli, dyshuar për shkak të prishjeve të pazareve në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike në shtetet Europiane”, tha Merizaj.
Ai tha se nga provat e siguruara rezulton se autorët e krimit janë këta 4 shtetas, si dhe persona të tjera të identifikuar nga ana jonë por për shkak të sekretit hetimor nuk mund të bëhen të ditura më shumë detaje.
“Në kuadër të veprimeve hetimore, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale:Një motomjet pa targa, i cili dyshohet se është përdorur në kuadër të veprimtarisë kriminale për vendosjen e lëndës plasëse në automjetin e viktimës; Dy automjete dhe tre aparate celularë, të cilët do t’i nënshtrohen ekzaminimeve përkatëse; Një shumë prej 2 500 eurosh; Një shumë prej rreth 130 000 lekësh”, njoftoi policia.
Ndalimi i këtyre shtetasve u krye për veprën penale “Vrasje me paramendim” e kryer në bashkëpunim.
/m.q/j.p/