E Martë, 3 Nëntor 2026

Zbardhet atentati në “Don Bosko” në 2022, policia: Viktima s’ishte objektivi. Porositësi ndodhet në burg në Belgjikë

Pas dy vitesh hetime policia ka zbardhur atentatin e ndodhur në “Don Bosko” në një lokal të zonës, ku mbeti i vrarë Erion Çela dhe u plagosën 4 persona të tjerë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në janar të 2022, ku autorët qëlluan në drejtim të lokalit ku qëndronte Erion Çela, së bashku me të vëllanë dhe dajën e tij. Nga të shtënat mbetën të plagosur Blerim Çela 28 vjeç, vëllai i viktimës, Edmond Crroj 41-vjeç, daja i viktimes, Azbi Selimaj 19 vjeç kamarieri i lokalit dhe Arben Dani 46 vjeç.

Sipas policisë shënjestër e atentati nuk ishte 35-vjeçari Erion Çela dhe se autorët ngatërruan objektiv. Si porositës të vrasjes policia ka identifikuar Kasandër Noga, i cili ndodhet në burg në Belgjikë. Ka qenë Noga i cili ka biseduar fillimisht me vëllezërit Indrit dhe Gentjan Beqiraj duke u dhënë një shumë monetare, por ato janë tërhequr në moment të fundit. Më pas, sipas policisë, Noga ka kontaktuar vrasës të tjerë ende të paidentifikuar, që kanë qëlluar me armë zjarri dhe kanë ngatërruar objektiv.

Drejtori i Policisë Tiranë, Tonin Vocaj tha se objektiv ka qenë shtetasit G. H., dhe 2 nipave të tij, për shkak të një hasmërie që Kasandër Noga ka pasur me ta.

“Kasandër Noga në bashkëpunim me shtetasin Kevin Zeneli (Suçi), kanë zhvilluar takime dhe biseda, kanë siguruar dhe kanë dhënë shuma monetare, me qëllim vrasjen e shtetasit G. H., dhe 2 nipave të tij për shkak të një hasmërise të vjetër, që shtetasi Kasander Noga, ka prej disa vitesh me vëllëzerit E. H., alias M. R. dhe G. H.

Për të organizuar vrasjen e këtyre personave, Kasandër Noga ka kontaktuar dhe porositur Kevin Zeneli (Suçi), i cili më pas ka kontaktuar shtetasin Ilirian Feçi dhe vëllezërit Indrit dhe Gentjan Beqiraj, të cilëve iu është premtuar dhe dhënë si parapagim një shumë monetare.

Shtetasi Kevin Zeneli (Suçi) dhe Ilirian Feçi, në bashkëpunim me njeri – tjetrin, kanë kryer veprime konktrete, takime dhe biseda, janë interesuar për lëvizjet dhe kanë vëzhguar për disa muaj intinerain e mundshëm të lëvizjeve, kanë siguruar mjetet dhe armët, më qëllim vrasjen e shtetasit G. H. Nga deklarimet e vellezërve Beqiraj, rezulton se megjithesë fillimisht ata kanë marrë përsipër kryerjen e vrasjes dhe kanë kryer veprime konkrete, pas disa kohësh janë tërhequr nga frika, dhe për gjetjen dhe vrasjen e shtetasit G. H., dhe nipave të tij, shtetasit Kasander Noga dhe Kevin Zeneli (Suçi) kanë kontaktuar persona të tjerë të pa identifikuar deri tani.

Gjithashtu, nga deklarimet e vellëzerëve Beqiraj, ka rezultuar se më datë 04.01.2022, shtetasi Kevin Zeneli (Suçi), në bashkëpumim me dy persona të tjerë, ende të pa indentifikuar, si porosi e shtetasit Kasander Noga, kanë qëlluar me armë zjarri drejt një lokali në Don Bosko, për të vrarë shtetasin G. H., por autorët kanë ngatërruar objektiv, dhe si pasojë e të shtënave me armë zjarri ka gjetur vdekjen shtetasi Erion Çela dhe janë plagosur 4 të tjerë ”, tha Vocaj në një deklaratë për mediat.

Sipas policisë në ngjarje është përfshirë edhe Roland Ahmetsulaj cili ka një njësi shërbimi që merret me riparim automjetesh, shërbim karrotreci, shit – blerje automjetesh etj. Nga analiza e të dhënave telefonike rezulton se ky shtetas, ditën e ngjarjes ka qenë në afërsi të vendit të ngjarjes, dhe ka komunikuar me Kevin Zeneli (Suçi).

Aktualisht në burg ndodhen Roland Ahmetsulaj, Indrit Beqiraj, Gentian Beqiraj, Ilirjan Feçi, ndërsa Kasander Noga aktualisht ndodhet në burg në Belgjikë, dhe ekzekutimi i masës së sigurimit personal ndaj tij do të bëhet nëpërmjet letër-porosisë. Ndërsa bashkëpunëtori Kevin Zeneli (Suçi) është shpallur në kërkim.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›