E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbardhet dëshmia e ish-drejtorit të burgut pas zbulimit të magazinave me kanabis në Peqin

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ngjarja e regjistruar një ditë më parë në Peqin, ku u zbuluan dy magazina me rreth 4 mijë rrënjë kanabis, të lidhura me Drejtorin e Burgut të Rrogozhinës, Bilal Hasa.

Ky i fundit u vetëdorëzua në polici pak orë pas operacionit, ndërsa tashmë është zbardhur edhe dëshmia e tij para hetuesve.

Sipas burimeve për FaxNews, Hasa ka mohuar përfshirjen në këtë aktivitet të paligjshëm, duke deklaruar se banesa dhe ambientet në fjalë administrohen nga i vëllai i tij, Romario Hasa. Ai ka pohuar se prej disa muajsh nuk ka qenë në atë objekt dhe nuk kishte dijeni për aktivitetin që zhvillohej aty.

Pas dhënies së dëshmisë, ai është lënë i lirë nga policia, ndërsa në kërkim është shpallur vëllai i tij.

Policia bëri me dije se lënda narkotike u zbulua në bodrumin e një magazine, në dy ambiente të përshtatura posaçërisht për kultivimin e kanabisit, të izoluara dhe të pajisura me ndriçim artificial.

Nga hetimet paraprake rezulton se ambienti është në pronësi të Hasës, i cili fillimisht u shpall në kërkim së bashku me Ervis Maçi, me detyrë përgjegjës i OSHEE-së për zonën e Peqinit.

Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka reaguar zyrtarisht, duke deklaruar se është njohur me ngjarjen përmes mediave dhe ka marrë masa të menjëhershme. Institucioni ka njoftuar pezullimin nga detyra të Hasës deri në sqarimin e plotë të rrethanave nga organet e drejtësisë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›