Zbardhet ditari i Minxollit

TIRANË - Hetimet për tragjedinë e Gërdecit dhe aferën që shkaktoi vdekjen e 26 njerëzve të pafajshëm, nxjerrin në pah të dhëna të tjera, që nxisin dyshimin se fillimi ka qenë i llogaritur në mënyrë perfekte, por jo fundi. “Detaji i vogël”, tragjedia e 15 marsit, ishte ajo që pak nga pak nisi të fashisë intrigën dhe mjetet e përdorura për të ndërtuar, mbase pa e menduar, vdekjen masive. Në morinë e pafund të dyshimeve për atë çka ndodhte në Gërdec, një ndër pikat më të rëndësishme është edhe misteri për të cilin ende nuk ka një përgjigje të saktë: a shërbente punishtja e Delijorgjit për paketim municionesh, të cilët më pas i shiteshin firmës amerikane “AEY”? Një pyetje e tillë ende nuk ka një përgjigje përfundimtare, megjithëse dyshimet ekzistojnë. Sipas burimeve nga Prokuroria e Përgjithshme, grupi i hetuesve ka ngritur zyrtarisht dyshimin se në Gërdec janë paketuar fishekë, jo vetëm nga dëshmitë e punëtorëve, por edhe nga provat e gjetura në vendin e ngjarjes. Një element i rëndësishëm që mund të ndryshojë ndoshta edhe rrjedhën e hetimit për këtë çështje, është libri i inventarit të fabrikës, i cili u gjend në kasafortën e blinduar disa ditë pas ngjarjes. Ky dokument, i cili mbahej nga vetë drejtori ekzekutiv i fabrikës, Dritan Minxolli, ka të dhëna të vlefshme që tregojnë se në punishten e Gërdecit, krahas demontimit, është bërë edhe paketim i municioneve. Sipas të dhënave të prokurorisë, mësohet se në bllokun e inventarit jepen të dhëna të detajuara edhe për sasinë dhe periudhën kohore në të cilën janë paketuar fishekët e kalibrit të vogël. Rastësi e çuditshme, pasi nga ato që shkruhen në “thesarin” e Minxollit, rezulton se kalibri i municioneve që paketoheshin në Gërdec ishte i njëjtë me kalibrin e municioneve që kishte porositur pronari i kompanisë “AEY”, Efraim Diveroli, për llogari të Pentagonit. Duke iu referuar shënimeve të sakta që ka mbajtur vetë Minxolli, me datat dhe sasitë përkatëse të fishekëve që paketoheshin, rezulton se një proces i tillë ka nisur pak ditë pas fillimit të punës për demontimin e predhave në Gërdec, ose pak kohë pas vizitës së Diverolit në Shqipëri, për shkak të rritjes së menjëhershme të çmimit nga 22 dollarë për 1000 fishekë, në 40 dollarë. Sipas shënimeve që administrohen tashmë nga prokuroria, procesi i paketimit të fishekëve ka vazhduar për disa javë dhe sasia e tyre ka qenë tepër e konsiderueshme. Pikëpyetja e madhe që ngrihet para një fakti të tillë, është se përse Delijorgji duhet të paketonte fishekë, kur kontrata që ai kishte me “Meico”-n nëpërmjet “SAC”-it ishte për demontim? Në këtë pikë, sipas hetimit, vijnë në ndihmë dëshmi nga baza ajrore e Rinasit, sipas së cilave nga ky aeroport janë transportuar jashtë Shqipërisë municione që paketoheshin në Gërdec. Por edhe dëshmitë e biznesmenit Kosta Trebicka nuk ngelen pas. Në bisedën e regjistruar mes tij dhe Diverolit, pasi i kishin hequr pa asnjë shpjegim të drejtën e ripaketimit të fishekëve, në një moment i përgjigjet Diverolit, i cili i thotë se “kompania që do të kryejë ripaketimet mund të kërkojë materialin tënd”. “Cila kompani është kjo, është akoma Delijorgji?”, - thotë Trebicka në përgjimin e bërë publik pak kohë pas shpërthimit tragjik në Gërdec.