Gërdeci ende i mbjellë me predha

TIRANË - Zona pranë kraterit të Gërdecit ngelet akoma me rrezikshmëri të lartë. Burime zyrtare pranë Policisë Ushtarake bëjnë të ditur se kjo e fundit do të nisë punën për pastrimin e zonës nga predhat, shumicat e së cilave mendohet se gjenden ende nën tokë. Këto predha në rast se nuk hiqen, janë një rrezik mjaft i lartë për banorët e zonës jo vetëm tani në fazën e emergjencës, por mbi të gjitha, më vonë, kur “vigjilenca” të jetë ulur. Aksioni për të bërë zonën të pastër nga predha aktive pritet të mbyllet në datën 20 të muajit maj. Por edhe pse ushtarakët do të punojnë për eliminimin e një rreziku të mundshëm, burimet theksojnë faktin se për një periudhë njëvjeçare askush nga banorët e Gërdecit nuk do të lejohet që të ndërtojë shtëpitë në zonën e kraterit ose aty pranë. Ndërkohë që dhe më parë u është bërë thirrje banorëve të zonës që të mos kthehen për disa kohë në ish-shtëpitë e tyre, kjo jo vetëm nga rreziku i predhave të pashpërthyera, por edhe për shkak të ndotjes që ka pasur zona. Një paralajmërim i tillë u dha pak javë më parë dhe nga ambasadori amerikan në Shqipëri, John L. Withers II. Sipas specialistëve, sidomos toka e zonës së Gërdecit ka pësuar ndotje të konsiderueshme, për shkak të shpërthimeve të muajit tjetër, që nuk tronditën vetëm fshatin e Gërdecit, por që ishin një “tërmet” për vendin, politikën dhe që tashmë i ka ngelur në dorë prokurorisë për të zbardhur të gjithë detajet dhe për të gjetur përgjegjësit e tragjedisë. Gjatë shpërthimit të fabrikës së çmontimit më 15 mars, humbën jetën 26 persona dhe qindra të tjerë u plagosën.