Zbardhet plagosja e 22-vjeçarit në Kurbin- Autori i mori makinën nën kërcënimin e armës, shpallet në kërkim

Policia ka zbardhur ngjarjen e ndodhur më 25 korrik 2026 në fshatin Gjorm, ku mbeti i plagosur me armë zjarri në këmbë një 22-vjeçar.
Sakaq policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim shtetasin K. N., 47 vjeç, banues në Sanxhak, i dyshuar si autor i plagosjes së shtetasit V. P., 22 vjeç.
Sipas hetimeve, pas plagosjes, 47-vjeçari është larguar nga vendi i ngjarjes duke i marrë 22-vjeçarit automjetin nën kërcënimin e armës.
Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, policia sekuestroi dy gëzhoja në cilësinë e provës materiale.
I riu ndodhet jashtë rrezikut për jetën ndërsa Uniformat blu vijojnë kontrollet intensive për kapjen e autorit dhe gjetjen e automjetit të marrë, ndërsa, nën drejtimin e Prokurorisë, po punohet për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Vjedhja me armë” dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
/rtsh.al/