E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbardhet raporti: Qeveria ndryshon skemën e pensioneve

Një nga mbledhjet e qeverisë

Plani ekonomik parashikon heqjen e subvencioneve për fshatin dhe rishikimin e raportit pagë-përfitim për qytetin.

Zbardhet raporti në programin ekonomik: Qytetarët po demotivohen, duhet sistemi me tri kolona.

Ndryshim i raportit pagë-përfitim, ska subvencion për fshatin

Qeveria parashikon të rishikojë të gjithë skemën e pensioneve. Transfertat e vazhdueshme nga buxheti për të financuar skemën por edhe lehtësitë për kategori të ndryshme e kanë bërë të nevojshme në mënyrë urgjente ndryshimin e skemës.
Në programin ekonomik dhe fiskal 2012-2014, qeveria pranon se skema aktuale nuk është funksionale. Në program theksohet se është e nevojshme heqja e lehtësive për fermerët, si dhe rritja e pagës referuese për të marrë pension. Problemi kryesor i skemës duket se është dekurajimi i qytetarëve për të paguar. Edhe pse rriten pensionet nga viti në vit, nuk janë joshëse për të punësuarit që të paguajnë sigurimet.
Problemet e skemës
Skema e pensioneve publike rezulton mjaft deficitare dhe deficiti i saj po kalon 1% të PBB duke u bërë një barrë e rëndë për buxhetin e shtetit. Qeveria konstaton se rritja e pensioneve ka zbutur varfërinë në qytet dhe sidomos në fshat, por kjo rritje po financohet nga buxheti, pra nga taksat e tjera të qytetarëve. Ky është problemi i parë që konstaton qeveria, dhe ndoshta më i rëndësishmi. Por nuk është I vetmi. Megjithëse evidentohet një rritje e ndjeshme e të ardhurave përsëri ato nuk janë të mjaftueshme për të mbuluar nevojat për fonde të sistemit të pensioneve publike. Qeveria në periudhën 2006-2010 ka ulur me rreth 40% barrën kontributive të bizneseve, norma e kontributit nga 38.5% ka arritur në 24.5%. Por megjithatë, evidentohen dukuritë e evazionit të kontributeve, evidentohet sidomos fenomeni i punës në të zezë. Në disa biznese evidentohet edhe dukuria e fshehjes së pagës reale. Në këtë pikë duket se qeveria pranon se ulja e masës së kontributit, një ndër reformat kyçe të maxhorancës, nuk ka dhënë efektet e veta, pra ka dështuar në rritjen e numrit të të siguruarve, të paktën aq sa pritej. Problemi i tretë është ai i fermerëve. Qeveria financon, me paratë e buxhetit, rreth 65% të kontributeve të fermerëve. Por edhe pse kjo është një shumë e konsiderueshme, fermerët nuk paguajnë për të përfituar nga skemë. Dhe këtu qeveria bën një parashikim me të vërtetë të frikshëm. Pjesëmarrja e tyre (fermerëve) në skemën e pensioneve nëpërmjet pagesës së kontributeve është mjaft e ulët, duke evidentuar një numër njerëzish që nuk do të kenë mundësinë e përfitimit të një pensioni në të ardhmen. Ky konstatim i qeverisë përkthehet në një situatë me të vërtetë të rrezikshme sociale. Qeveria pranon se fermerët, ata që nuk paguajnë, nuk do të kenë para pas moshës së punës. Dhe sigurisht kjo është një çështje që do ti kushtojë shumë politikës.
Problemi i katërt është edhe më jetiku për skemën aktuale. Qytetarët nuk janë të lidhur ekonomikisht me skemën. Pra, nuk përfitojnë sa paguajnë. Brenda skemës së detyrueshme evidentohen elemente që kanë dobësuar lidhjen e drejtpërdrejtë midis kontributeve dhe përfitimeve aktuale dhe të ardhshme. Kështu, personat që kontribuojnë me paga të larta, në nivelet e 4-5 fish të pagës minimale, mund të marrin të ardhura nga pensione në nivelin 30-35% të pagës, gjë që demotivon pagesat dhe rrezikon fshehjen e të ardhurave reale. Pra, një përfitim është shumë më i vogël sesa kontributi disavjeçar.
Ndryshimi i sistemit
Zgjidhja e një situate të tillë, ku skema e pensioneve nuk është rentabël, pra nuk garanton veten, sigurisht që është ndryshimi. Problemet kanë evidentuar nevojën e ndërmarrjes së një reforme tërësore parametrike e sistemike për sistemin e përgjithshëm të sigurimeve shoqërore në përgjithësi dhe veçanërisht të sistemit të pensioneve publike. Në vazhdim të shpjegimit për kalimin e kësaj situate, qeveria pranon se do të rrisë çdo vit, deri në vitin 2014, me 4% pensionet, por këtë thekson se do ta arrijë përmes përmirësimit të metodës së indeksimit të pensioneve dhe nxitjes së formimit të kolonës së dytë e të tretë të sistemit të përgjithshëm. Pra, vendosja e një skeme me tri kolona. Kolona e parë është tërësisht shtetërore dhe e detyrueshme. Parashikohet që në këtë kolonë të kalojë pjesa më e madhe e kontributeve që paguajnë aktualisht punëdhënësit dhe punëmarrësit. Kjo kolonë garanton një pension minimal. Kolona e dytë, edhe kjo e detyrueshme, financohet me pjesën tjetër të kontributeve. Kolona menaxhohet nga grupe private, të cilat paratë e grumbulluara i financojnë në veprimtari të ndryshme, duke garantuar kthim më të madh, pra pension më të lartë për qytetarët. Kolona e tretë është ajo që ekziston edhe aktualisht, ku çdo individ mund të veçojë çdo muaj disa para për të ti marrë më vonë në kohën e pensionit. Kjo kolonë është tërësisht private dhe e padetyrueshme, fakultative. Por realizimi i kësaj reforme, e cila ka një kosto të madhe politike, ka ngecur nga mosmarrëveshja politike mes PD e PS. Pa një pakt të tillë, kjo reformë është e pazbatueshme.
Zgjidhja tjetër
Në kushtet e mungesës së paktit, qeveria duket se po gjen zgjidhje të tjera për ta lehtësuar skemën. Qeveria pranon se do të ndryshojë financimet, subvencionet, e sigurimeve për fermerët. Parashikohet të suprimohen lehtësitë kontributive për kontributet e sigurimeve shoqërore të fermerëve, duke i barazuar ato me kontributet që paguhen nga personat e vetëpunësuar në aktivitete jo bujqësore. Pra, fermerët do ti paguajnë vetë të gjitha kontributet për pension. Kjo do të thotë që nga buxheti nuk do të kalojnë më para për të mbuluar sigurimin e fermerëve dhe këta të fundit do të paguajnë për pension, aq sa paguajnë të gjithë të punësuarit e tjerë. Reforma tjetër është rritja e pagës mbi të cilën paguhen kontributet jo më pak se indeksi i pensioneve. Sa herë që qeveria do të rrisë pensionet, sipas planit me 4% çdo vit, po aq do të rritet edhe pagesa minimale mbi të cilën paguhen kontributet. Ndërsa në finale qeveria pranon do të përmirësojë raportet kontribuues-përfitues dhe pagë/pension minimal me pagë/pension maksimal. Kjo e fundit duket vërtet një reformë e rëndësishme, pasi do të thotë se ata që paguajnë më pak për pensione do të marrin përfitime më të vogla, ndërsa ata që kanë paga më të larta, përfitime më të mëdha. Në dukje është diçka logjike, por sistemi aktual tregon që kush ka një pagë mbi 35 mijë lekë në muaj, përfiton pension maksimal të barabartë me atë që ka një pagë deri në rreth 90 mijë lekë në muaj, edhe pse ky i fundit paguan disa herë më shumë për pension. Të gjitha këto reforma qeveria mund ti bëjë edhe pa opozitën, por problemi më i madh është skema. Ndryshimi i skemës dhe futja e sistemit me 3 kolona do të ishte zgjidhja ideale e kërkuar edhe nga Banka Botërore, por që duket se politikisht i mban palët, PD-në e PS-në, larg njëra-tjetrës.

SITUATA E PENSIONEVE
Problemet e skemës

.    Evidentohet një rritje e numrit të personave që aplikojnë dhe marrin pensione invaliditeti
.    Qeveria ka ulur me rreth 40% barrën kontributive të bizneseve, megjithatë evidentohen dukuritë e evazionit të kontributeve, sidomos evidentohet fenomeni i punës në të zezë.
.    Qeveria financon rreth 65 % të kontributeve të fermerëve, përsëri pjesëmarrja e tyre në skemën e pensioneve nëpërmjet pagesës së kontributeve është mjaft e ulët, duke evidentuar një numër njerëzish që nuk do të kenë mundësinë e përfitimit të një pensioni në të ardhmen.
.    Skema e pensioneve publike rezulton mjaft deficitare dhe deficiti i saj po kalon 1% të

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›