E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbardhet skema e atentatit në Lezhë, gjendet mjeti dhe veshjet e autorëve që vranë çiftin bashkëshortor

Grupi i posaçëm hetimor ka shënuar zhvillime të rëndësishme në zbardhjen e vrasjes së dyfishtë të ndodhur më 26 prill 2026 në fshatin Balldren, ku mbetën viktima çifti i bashkëshortëve Kreshnik dhe Gentjana Mujeci. Gjatë operacioneve të intensifikuara të kërkimit, Policia e Shtetit ka arritur të lokalizojë dhe sekuestrojë provat kyçe të krimit, duke zbuluar njëkohësisht edhe mekanizmin e ngjarjes.

Mesditën e sotme, në fshatin Torovicë, brenda rrethimit të banesës së shtetasit, Besnik Kolndreu, uniformat blu zbuluan mjetin e përdorur në atentat, një “Volkswagen Polo” pa targa. Autorët kishin tentuar të fshihnin gjurmët duke e mbuluar automjetin me bar. Nga këqyrja e mjetit, të cilit i ishin thyer xhami i pasmë dhe trekëndëshat anësorë, u gjetën në cilësinë e provës materiale dy gëzhoja arme luftarake (model 56).

Sipas hetimeve të deritanishme, del në dritë një skemë e mirëmenduar. Shtetasi Florin Mhillaj, dyshohet se ka marrë automjetin “Volkswagen Polo”, të cilin motra e tij e kishte marrë paraprakisht me qira në Rinas. Pasi i ka hequr targat, ai, në bashkëpunim me një tjetër person tashmë në kërkim, u ka prerë rrugën dhe ka hapur zjarr ndaj mjetit ku udhëtonin viktimat.

Për të shmangur vëmendjen pas krimit, automjeti është braktisur në oborrin e Besnik Kolndreut. Aty ndodhej edhe një mjet tjetër identik, në pronësi të këtij të fundit, por i pajisur me targa të rregullta—një lëvizje kjo e përdorur si alibi për të krijuar konfuzion te forcat e rendit se mjeti ishte “i rregullt”.

Personat e përfshirë

Krahas automjetit, policia ka sekuestruar edhe veshjet që autorët kanë përdorur në momentin e ekzekutimit, si dhe një palë targa të tjera.

Në vijim të këtyre zbulimeve dhe mbledhjes së provave, autoritetet kanë ndërmarrë këto hapa:

Është shpallur në kërkim shtetasi Besnik Kolndreu, 22 vjeç, banues në Torovicë. Ai akuzohet për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Është proceduar penalisht shtetasi N. K., 79 vjeç, babai i 22-vjeçarit është vënë nën hetim për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.

Forcat e Policisë vijojnë kërkimet e pandërprera në terren për lokalizimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar. Materialet procedurale i kanë kaluar zyrtarisht Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme hetimore.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›