E Diel, 1 Nëntor 2026

Emiratet e Bashkuara Arabe lënë OPEC-un në mes të krizës globale

Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) njoftuan zyrtarisht të martën se do të tërhiqen nga Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) duke filluar nga 1 Maji. Kjo lëvizje historike i heq kartelit një nga prodhuesit e tij më të mëdhenj dhe më të rëndësishëm, duke dobësuar thellësisht aftësinë e tij për të kontrolluar furnizimet dhe për të diktuar çmimet e naftës në një kohë krizash të paprecedentë globale.

Ky vendim drastik po përflitej prej kohësh në korridoret e diplomacisë energjetike. Gjatë viteve të fundit, Abu Dhabi ka shprehur vazhdimisht kundërshtinë e tij ndaj kuotave të prodhimit të vendosura nga udhëheqja e OPEC-ut, duke i konsideruar ato si një frenim të padrejtë të potencialit të tij ekonomik.

Emiratet, të cilat prodhonin rreth 3.4 milionë fuçi naftë të papërpunuar në ditë pak para shpërthimit të luftës së fundit në Iran (më 28 shkurt), kanë investuar miliarda dollarë për të zgjeruar infrastrukturën e tyre nxjerrëse. Kufizimet e OPEC-ut nënkuptonin që ata nuk mund t’i shisnin botës sasinë e dëshiruar të naftës, pavarësisht kapaciteteve të tyre reale.

“Duke investuar shumë në zgjerimin e kapacitetit të prodhimit të energjisë në vitet e fundit, tabloja e përgjithshme është se Emiratet e Bashkuara Arabe kanë dëshiruar me padurim të pompojnë më shumë naftë. Në fund të fundit, ata mendojnë se të qenit jashtë ‘detyrimeve’ të OPEC+ do t’u japë atyre shumë më tepër ‘fleksibilitet’.”, theksohet në një analizë nga Capital Economics.

E njëjta analizë thekson se kjo lëvizje vërteton se lidhjet që dikur mbanin të bashkuar anëtarët e kartelit janë dobësuar ndjeshëm, një trend që nisi të bëhej i dukshëm që nga tërheqja e Katarit në vitin 2019.

Vetë qeveria e EBA-së, përmes agjencisë shtetërore të lajmeve WAM, konfirmoi gjithashtu largimin nga aleanca e zgjeruar OPEC+ (e cila përfshin Rusinë), duke e justifikuar vendimin me interesat e saj thelbësore kombëtare:

“Ky vendim pasqyron vizionin strategjik dhe ekonomik afatgjatë të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe profilin energjetik në zhvillim e sipër. Pas daljes së saj, EBA do të vazhdojë të veprojë me përgjegjësi, duke sjellë prodhim shtesë në treg në një mënyrë graduale dhe të matur, në përputhje me kërkesën dhe kushtet e tregut.”, nënvizohet në deklaratën zyrtare të Emirateve të Bashkuara Arabe (WAM).

Në prapaskenë, krisja ekonomike është shoqëruar me një përkeqësim dramatik të marrëdhënieve dypalëshe me Arabinë Saudite. Dy aleatët tradicionalë të Gjirit kanë pasur përplasje të vazhdueshme mbi çështje politike dhe ekonomike rajonale.

Tensionet arritën kulmin në Jemen. Koalicioni i përbashkët ushtarak, i formuar në vitin 2015 kundër rebelëve Huthi, u shpërbë mes akuzave të ashpra në fund të dhjetorit të kaluar, kur forcat saudite bombarduan një dërgesë armësh që pretendohej se ishte e destinuar për separatistët jemenas të mbështetur nga Emiratet. Kjo krisje gjeopolitike, e kombinuar me luftën ekonomike për të tërhequr bizneset ndërkombëtare mes Dubait dhe Riadit, e ka bërë bashkëjetesën brenda të njëjtit kartel të pamundur.

Pasojat në tregun e energjisë

Pavarësisht rëndësisë historike të këtij vendimi, analistët theksojnë se efekti i tij i menjëhershëm në rënien e çmimeve mund të jetë i kufizuar për shkak të realitetit aktual të luftës. Konflikti me Iranin ka shkaktuar mbylljen e Ngushticës së Hormuzit — rruga jetike ujore nga ku kalon një e pesta e naftës botërore — duke mbajtur furnizimet globale jashtëzakonisht të shtrënguara.

Megjithatë, në aspektin afatgjatë, goditja për organizatën me seli në Vjenë është e pakthyeshme.

“Tërheqja e Emirateve largon një nga anëtarët e paktë të OPEC-ut me aftësinë për të rritur shpejt prodhimin, mekanizmin përmes të cilit karteli menaxhon çmimet e naftës. Një OPEC strukturalisht më i dobët, me më pak kapacitet rezervë të përqendruar brenda grupit, do ta ketë gjithnjë e më të vështirë të kalibrojë furnizimin dhe të stabilizojë çmimet.”, thotëJorge Leon, drejtues i analizës gjeopolitike në Rystad Energy.

Me një Amerikë që ka rritur ndjeshëm prodhimin e saj të naftës bruto dhe një OPEC të përçarë e të zhveshur nga mekanizmat e tij stabilizues, bota po hyn në një epokë të re, thellësisht të pasigurt, të tregtisë globale të energjisë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›