E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbardhet vendimi i qeverisë për bllokimin e importit të mbetjeve

TIRANE - Këshilli i ri i Ministrave, në mbledhjen e tij të parë, tre ditë më parë, pas betimit të Qeverisë, me propozimin e Kryeministrit dhe të ministrit të Mjedisit, vendosi propozimin e projektligjit "Për disa ndryshime në ligjin nr.10463, datë 22.9.2011, "Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.

Në mbështetje të neneve 78 e 83, pika 1, të Kushtetutës, Këshilli i Ministrave, vendosi që në ligjin nr.10463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar, të bëhen disa ndryshime të rëndësishme.

Në nenin 48, "Ndalimi i importeve dhe kalimeve tranzit të mbetjeve”, bëhen ndryshimet e mëposhtme: Pika 1 formulohet, si më poshtë vijon: Ndalohet në të gjitha rastet importimi i mbetjeve të rrezikshme dhe jo të rrezikshme në Republikën e Shqipërisë".

Neni 49, "Importi i mbetjeve jo të rrezikshme", shfuqizohet. Në dispozitat kalimtare të projektligjit theksohet se "subjektet, të cilat, përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë pajisur me autorizim për importimin e mbetjeve jo të rrezikshme, janë të detyruara që, për sasinë e mbetjeve që kanë importuar deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, të përfundojnë procesin e riciklimit, brenda 6 muajve nga data e hyrjes në fuqi të ligjit". Çdo dispozitë ligjore dhe akt nënligjor, që bie në kundërshtim me këtë ligj, shfuqizohen.

Ngarkohet Këshilli i Ministrave që, brenda 1 muaji nga hyrja në fuqi e ligjit, të nxjerrë aktet nënligjore, në zbatim të pikave 1 dhe 2, të këtij neni.

(BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›