E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbardhet vendimi për kalimin e SHQUP te PD

Pas debateve të shumta, qeveria zbardh të plotë vendimin për kalimin e ndërtesës së SHQUP-it në selinë e re të Partisë Demokratike. Vendimi i botuar dje në Fletoren Zyrtare shoqërohet bashkë me formularin për inventarizimin e pronave të paluajtshme shtetërore. Konkretisht në tabelën për inventarizimin e pronave të veçanta, shihet qartë se Shtëpia Qendrore e Ushtrisë përbëhet nga një sipërfaqe totale prej 10060 metrash katrorë; nga kjo, sipërfaqe e ndërtuar është 1402 metra katrorë. 

Në vendim thuhet se Këshilli i Ministrave vendosi kalimin në për-gjegjësi administrimi, nga Ministria e Mbrojtjes te Ministria e Brendshme, të pasurisë së paluajtshme, të konfirmuar nga Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Tiranë, me emërtimin "Shtëpia Qendrore e Ushtrisë", me numër rendor 32, përkatësisht sipas formularit që i bashkëlidhet këtij vendimi, miratuar me vendimin nr. 515, datë 18.7.2003 të Këshillit të Ministrave "Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes", të ndryshuar. 

Prona e përmendur në pikën 1 të këtij vendimi, të hiqet nga lista e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Mbrojtjes, që i bashkëlidhet vendimit nr. 515, datë 18.7.2003 të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar. Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Brendshme, brenda datës 20.8.2013, të përfundojnë procedurat e marrjes në dorëzim të pronës. Ministri i Brendshëm të lidhë kontratën e huapërdorjes, sipas Kodit Civil, me subjektin politik Partia Demokratike e Shqipërisë. Ngarkohen ministri i Brendshëm, ministri i Mbrojtjes dhe Kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare. 

(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›