E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zbardhet vrasja në Kurbin, krimi për shkaqe pronësie, shpallet në kërkim Dashnor Tota

Një ditë pas vrasjes së 67-vjeçarit Dod Mamli në fshatin Vilës të Kurbinit, policia ka zbardhur ngjarjen dhe ka shpallur në kërkim autorin e dyshuar.

Sipas policisë vrasja ka ndodhur për çështje pronësie, ndërsa agresori është identifikuar si Dashnor Tota, banor i zonës.

Për kapjen e tij janë angazhuar shërbimet operacionale dhe ato të Forcës Kombëtare të Sigurisë, të cilat kanë vijuar kontrollet përgjatë gjithë natës dhe ditës së sotme, por ende nuk kanë arritur të bien në gjurmet e tij.

Tota dyshohet të jetë fshehur në masivin pyjor të zonës ku ka ndodhur ngjarja, ndaj dhe policia ka përqëdruar forcat aty, duke monitoruar të gjithë terrenin.

Ndërkohë nga ekspertiza mjeko-ligjore në trupin e viktimës, rezulton se ai është qëlluar gjashtë herë me pistoletë ku një plumb e ka prekur në kokë dhe dy të tjera në pjesën e gjoksit.

Dod Mamli u gjet nga dy banorë të zonës që po zbrisnin poshtë nga mali të cilët panë trupin e viktimës dhe njoftuan policinë.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 6 gëzhoja dhe telefoni i viktimës.

Mamli kishte pak kohë që ishte kthyer nga emigracioni dhe ende nuk dihet nëse ka patur konflikte të mëparshme me autorin e ngjarjes./vizionplus.tv

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›