MYNIH – Zelensky: Dua të takohem vetëm me Putinin për bisedime, jo me të tjerë

MYNIH, 14 shkurt /ATSH-DPA/ – Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha se është i gatshëm të takohet me presidentin rus Vladimir Putin për bisedime për t’i dhënë fund konfliktit, por jo me negociatorë të tjerë nga Rusia.
“Unë dua të takohem vetëm me një rus, me Putinin, vetëm pasi të kemi një plan të përbashkët me presidentin e SHBA-së Donald Trump”, tha Zelensky gjatë një diskutimi në Konferencën e Sigurisë në Mynih.
Trump foli me Putinin në telefon të mërkurën dhe ra dakord për negociata të menjëhershme për përfundimin e luftës ruse në Ukrainë.
Ende nuk ka informacion konkret se si dhe kur mund të zhvillohen bisedime të tilla.
Putini së fundmi e diskreditoi Zelenskyn si një partner negociator, duke mohuar legjitimitetin e tij si president i Ukrainës dhe duke thënë se Zelensky nuk mund të nënshkruante ligjërisht asgjë pasi mandati i tij kishte skaduar.
Por, avokatët ukrainas thonë se zgjerimi i kompetencave të Zelenskit mbulohet nga ligji ushtarak dhe shtetet perëndimore vazhdojnë ta njohin atë si kreun e shtetit të Ukrainës.
Putin tha se nëse Zelensky dëshiron të marrë pjesë, ai duhet të delegojë njerëz për të zhvilluar bisedimet.
Ndërkohë, pasi Moska aneksoi ilegalisht katër territoret ukrainase Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhya në vitin 2022, Zelensky i shpalli të pamundura negociatat me Putinin, në një dekret që mbetet i vlefshëm.
Ai tha se bisedime të tilla mund të zhvillohen vetëm me një president të ri rus./ /os/