Zbogar: Takimi Ashton - Daçiq do të qartësojë shumëçka

Kryeministri serb Ivica Daçiq është përkujdesur që të mos shkojë duarthatë në takimin me baroneshën Catherine Ashton, që mbahet nesër në Bruksel. Daçiq të hënën ka mbledhur anëtarët e qeverisë serbe dhe përfundimisht ka hequr mjegullën e krijuar nga qeveria e Boris Tadic, rreth marrëveshjes lidhur me përfaqësimin e Kosovës në forumet dhe organizatat rajonale.
Ai pranoi publikisht se sipas marrëveshjes së arritur në Bruksel, në tryezën e takimeve rajonale pranë emrit të Kosovës nuk do të ketë as yll, as fusnotë. Gjithashtu, pala serbe është e detyruar të zbatojë marrëveshjet e Brukselit, para çfarëdo dialogu të ri mes Kosovës dhe Serbisë. Këto çështje do të dominojnë në takimin e nesërm mes Ashton dhe Daçiq.
Diplomatët evropianë që merren me Kosovën, tashmë kanë drejtuar sytë kah ky takim. Kryediplomatja evropiane, Ashton, do të udhëheqë dialogun e ardhshëm mes dy vendeve, e përkrahur nga Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton.
“Mendoj se takimi i Daçiq me Ashton në Bruksel është shumë i rëndësishëm. Pas këtij takimi do të jetë më e qartë se sa është serioze qeveria e re serbe kur është fjala për çështjet që ndërlidhen me Kosovën”, ka thënë Samuel Zbogar, në margjina të punimeve të Forumit Strategjik në Bled të Sllovenisë. Ai ka bërë të ditur se pritjet e BE-së nga Serbia janë shumë të qarta – zbatimi i të gjitha marrëveshjeve të arritura në Bruksel.
Zbogar ka theksuar se fokusi do të jetë, sidomos, në zbatimin i marrëveshjes për përfaqësimin e Kosovës në takimet rajonale si dhe marrëveshjes IBM për kontrollin e kufijve. ”Këto dy marrëveshje janë kyçe. Mendoj se ky do të ishte një lloj fillimi dhe pritet sinjal pozitiv nga pala serbe. Nëse lëvizin me aksione konkrete në lidhje me këto dy marrëveshje, do të vlerësojmë këto sinjale serbe dhe fizibilitetin e dialogut serioz politik me qëllim të zgjidhjes së situatës në veri të Kosovës”, ka thënë Zbogar.