E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbogar: Vetëm dialogu zgjidh ngërçin politik

Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Sllovenisë, Samuel Zhbogar dhe delegacionin që e shoqëron në kuadër të vizitës së tij zyrtare në vendin tonë.

Pasi vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira dypalëshe, Topi shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme dhe ndihmën e dhënë nga Sllovenia për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, si dhe nënvizoi faktin se: “Ne e vlerësojmë veçanërisht mbështetjen e Sllovenisë ndaj proceseve euro-integruese të Shqipërisë, sidomos kontributin e shumë personaliteteve sllovene në këtë drejtim.”

Presidenti Topi ritheksoi qëndrimin e tij të njohur se vetëm përmes një dialogu konstruktiv dhe të maturuar politik dhe duke respektuar institucionet dhe shtetin ligjor, forcat politike dhe të gjithë aktorët kryesorë do të mund ta nxjerrin vendin nga kjo situatë tepër shqetësuese, duke patur parasysh interesat madhore të popullit shqiptar edhe perspektivën e së ardhmes integruese të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Në këtë kontekst, Presidenti vlerësoi veçanërisht “gatishmërinë e vendeve mike dhe aleate të Shqipërisë, të Sllovenisë dhe të gjithë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në mbështetje të kapërcimit të situatës së krijuar në vend.”

Zhbogar, duke theksuar rëndësinë e funksionimit të shtetit ligjor dhe institucioneve të pavarura kushtetuese si dhe nevojën për rikthimin e normalitetit dhe rivendosjes së dialogut politik institucional, vuri në dukje se vizita e tij në Tiranë, është nxitur nga vullneti që Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare të tij të japin ndihmesën dhe të përfshihen në mënyrë më aktive në zgjidhjen e menjëhershme të krizës politike në Shqipëri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›