Wollfarth:Thirrje partive politike të dorëzojnë propozimet

Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth, bën thirrje partive politike të dorëzojnë propozimet për anëtarë të komisioneve zgjedhore
Ambasadori Eugen Wollfarth, Kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, nxiti sot të gjitha partitë politike ta zbatojnë plotësisht Kodin Zgjedhor, duke i paraqitur Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) propozimet e tyre për anëtarë të komisioneve zgjedhore.
Sipas informacioneve që ka Prezenca e OSBE-së, asnjë parti politike nuk ka dorëzuar deri më tani në KQZ listën e plotë të kandidatëve.
"Shqiptarët dhe partnerët ndërkombëtarë të vendit presin që zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të zhvillohen më 8 maj, ashtu siç janë dekretuar nga Presidenti i Republikës. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në fazën e përgatitjes së këtyre zgjedhjeve. Puna e tij do të bëhej më e lehtë, nëse të gjitha partitë politike veprojnë menjëherë dhe respektojnë ligjin, duke dorëzuar emrat e të gjithë komisionerëve zgjedhorë brenda afatit", tha Wollfarth.
"Presim që të gjitha afatet e tjera ligjore të respektohen plotësisht, ashtu sikurse presim që të gjithë anëtarët e KQZ-së të marrin pjesë në të gjitha mbledhjet," shtoi ai.
Sipas Kodit Zgjedhor, afati i fundit për paraqitjen e emrave të komisionerëve të komisioneve të nivelit të dytë ishte 24 janari. Afati që KQZ-ja të konstituojë të gjitha komisionet është 7 shkurti.
Dy ditë më parë, Wollfarth thekson domosdoshmërinë e një hetimi të hapur dhe të plotë mbi ngjarjet e 21 janarit, ndërsa u bëri apel organeve përgjegjëse të veprojnë në përputhje me shtetin e së drejtës duke respektuar pavarësinë e mediave.