Zbresin temperaturat, ngrica në rrugë! Të gjithë akset nacionale të kalueshme! Verifikohen dëmet e përmbytjeve

Pas reshjeve intensive të shiut, vendi ynë është përfshirë nga temperatura të ulëta, të cilat në zonat malore zbresin deri në -10 gradë celsius.
Pas reshjeve intensive të shiut, vendi ynë është përfshirë nga temperatura të ulëta, të cilat në zonat malore zbresin deri në -10 gradë celsius. Bora ka shkaktuar ngrica në akset rrugore, por sipas ARRSH qarkullimi vijon normalisht. Ndërkohë, po vijohet me verifikimin e dëmeve nga përmbytjet në disa qarqe të vendit, Durrës, Fier, Lezhë, Gjirokastër etj.
DIBËR– Rruga e Arbrit ne disa segmente ka patur ngrica veçanërisht në zonat malore. Rruga Peshkopi Kukës kalohet me zinxhirë, ndërsa segmenti Ura e Çerenecit Librazhd ditën djeshme ka patur problematika ne lëvizje për shkak të borës. Në disa fshatra ka mungesë të energjisë elektrike.
SHKODËR– Edhe në Shkodër është përmirësuar situata. Sipërfaqja totale e tokës bujqësore me prani uji vlerësohet rreth 945 ha. Në Obot, uji është prezent vetëm në oborre, pa depërtim në banesa; qarkullimi është i garantuar dhe realizohet me mjete të Ushtrisë, është i bllokuar kalimi me mjete për shkak të rrities së nivelit të ujit në rrugë.
FIER– Situata në Fier është normalizuar dhe prurjet në Lumin Vjosa janë në kuota normale. Ndërkohë, prurjet ne lumin Seman janë në kuota të larta përgjatë gjithë argjinaturës nga territori i Bashkisë Lushnje, Roskovec, Patos, Fier e deri në grykëderdhje. Lumi Seman është tërhequr nga banesat dhe rruget e fshatit Murriz Njesia Adm Fiershegan, Bashkia Lushnje. Vazhdojnë të jenë të përmbytura 100 ha toke bujqësore brenda argjinaturave ne Lushnje, Roskovec-Patos dhe Fier.
KORÇË– Në Korçë për shkak të rrëshqitjes së dherave, vijon të jetë e bllokuar rruga Dunicë. Rruga e fshatit Malinë është jofunksionale. Një mjet është siguruar nga bashkia, por ndërhyrja aktualisht është e pamundur për shkak të kushteve të pafavorshme të motit. Vijon të jetë e bllokuar rruga Zall–Torra.
GJIROKASTËR– Rruga e Qafës së Çajupit vijon të jetë e bllokuar, edhe ditën e sotme do të punohet nga kontraktori për hapjen e saj. Në Njësinë Administrative Zagori, rrugët hyrëse të fshatrave Zhej, Lliar dhe Topovë vijojnë të jenë të bllokuara për shkak të rrëshqitjeve të dherave, të cilat vazhdojnë ende. Një rrugë që është e bllokuar në Memaliaj ka izoluar 5 banesa.
Akset rrugore Salari – -Nivicë, Dukaj- Sinanaj momentalisht janë të paaksesueshme për shkak te rrëshqitjeve të vazhdueshme dhe prurjeve të shumta. Në aksin Tepelenë – Gjirokastër, pranë zonës së Shkallës së Zezë, vijon puna për pastrimin; qarkullimi kryhet me një korsi.