E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbulim i rrallë ilir në Lushnje, gërmimet nxjerrin në pah objekte me vlerë unike

Një vendbanim i lashtë ilir u zbulua në Kodrën e Pusit, në fshatin Murriz-Peqin, Lushnje. Gërmimet, që kanë nisur një muaj më parë, mund të zbulojnë një banesë të madhe ose një bazilikë.

Arkeologët po vazhdojnë sondazhet për të kuptuar më shumë, ndërsa Andrea Pambuku thotë se do të nevojiten fonde shtesë për të vijuar punimet dhe zbuluar të gjitha detajet.

“Jemi në javën e tretë të gërmimeve arkeologjikë. Momentalisht jemi duke evidentuar nëpërmjet sondazhit arkeologjik shtresën e rëndë të një çatie. Jemi ende në iden se me çfarë kemi të bëjmë me një monument kulti, bazilike apo të një banese”

Zbulimi ishte krejt rastësor; banorët njoftuan Muzeun Historik pasi gjetën tjegulla të vjetra. Një pjesë e qeramikave është e ruajtur dhe daton nga neoliti.

Sipas Niko Ferro, kjo zonë tregon gjashtë shekuj vazhdimësi deri në antikitetin e vonë. Janë gjetur monedha, tjegulla me simbol, struktura me tulla dhe gurë stralli. Objektet po studiohen nga specialistët.

“Pasi u bë verifikimi i zonës , hasëm këtu poshtë një objekt prej neoliti. Ajo që duket sot është se kemi një gjetje të periudhës qytetare iliri që fillon nga shekulli II apo III para Krishtit, deri në një vazhdimësi deri në antikitetin e vonë. Pra janë gjashtë shekuj vazhdimësi”

Përpara zbulimit, kodra përdorej për materiale inerte rrugësh.

Tani puna është ndaluar. Kjo zonë dhe fshati Zgjanë janë dy pika të reja arkeologjike të Lushnjës, që pritet të shpallen monumente kulture dhe t’u tregohen vizitorëve, ndërsa disa gjetje janë ekspozuar në muze.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›