Zbulimi thekson kërcënimin e trafikimit të qënieve njerëzore

Zbulimi i fundit i 20 grave të reja nga Kosova, Shqipëria, Bullgaria, Moldavia, Rumania e Serbia të cilat ishin të detyruara të punonin në mënyrë të paligjshme në Maqedoninë Perëndimore vë fokusin e përsëritur në përpjekjet për të ndaluar trafikimin e qënieve njerëzore në Europën Juglindore.
Gratë u zbuluan duke punuar në klubet e natës, bare e restorante. Shumë ishin duke punuar në Veleshta, një fshat afër Strugës, që dikur ishte një qendër rajonale prostitucioni.
"Fakti është, se një numër i madh i grave nuk e njoftojnë këtë lloj krimi. Në rastet kur gratë kanë bërë deklarata e kanë mbështetur dyshimet e policisë [për trafikim], menjëherë i kemi ndjekur duke ngritur akuza," tha Ivo Kotevski, zëdhënës i policinë maqedonase, për SETimes.
Ekspertët e shoqërisë civile thanë se gratë e reja joshen më shpesh me premtime të punësimit të ligjshëm vetëm që të detyrohen për prostitucion e mbahen kundër vullnetit të tyre. Ka shumë projekte për të edukuar banorët për të mbrojtur në mënyrën më të mirë veten e tyre si edhe për të njoftuar rastet e trafikimit të qënieve njerëzore, sipas Dragica Pavelska Popeska, presidente e OJQ-së Ezerka në Strugë.
Popeska tha se projekti i fundit, "Hapni Sytë, Njerëzit Trafikohen, Informohuni," përfshin dërgimin e materialeve e broshurave edukative për nxënësit e prindërit e tyre.
"[Punën e mbështetjes] do t'a vazhdojmë edhe në të ardhmen. Zona jonë është një rajon kufitar me Shqipërinë e nuk jemi të kursyer nga trafikimin i grave si dhe burrave," tha Popeska për SETimes.
OJQ-të e tjera janë përqendruar në ofrimin e shërbimeve për viktimat e bashkëpunojnë me organizatat si motra në të gjithë Ballkanin për të bashkërenduar veprimtaritë që lehtësojnë procesin e kthimit për viktimat.
Otvorena Porta (Porta e hapur), një OJQ me qendër në Shkup, hapi qendrën e parë për viktimat e trafikimit të qënieve njerëzore në Maqedoni më 2005.
Që atëherë, qendra ka ndihmuar 102 viktima duke iu ofruar atyre ushqim, strehim, veshmbathje, pako të higjienës personale, këshillim psiko-social e ligjor, ekzaminime mjekësore e kurse edukative.
Shumica dërrmuese e grave të reja në qendër janë mes 15 e 17 vjeç, tha Maja Varoshlija, administratore e mbështetjes së viktimave në Otvorena Porta.
"Gratë mbërrijnë në klubet e natës në Maqedoninë Perëndimore duke iu përgjigjur thirrjeve të rreme për punësim si kamariere ose kërcimtare. Pasi mbërrijnë, në fillim ato punojnë për atë që është rënë dakort, por më vonë pronarët i detyrojnë të kryejnë veprime seksuale për klientët," tha Varoshlija për SETimes.
Përfaqësuesit e qeverisë e të shoqërisë civile janë duke rritur bashkë-veprimin nëpërmjet Komisionit Kombëtar për Luftën e Trafikimit Njerëzor, anëtarët e të cilit përfshijnë organizata ndërkombëtare.
Komisioni ka krijuar një plan kombëtar e një strategji për kryerjen e trajnimit të oficerëve të policisë, punëtorëve socialë e të tjerët që merren me trafikimin e qënieve njerëzore.
Shoqëria civile gjithashtu vë në dukje linjën telefonike SOS, e cila ka ekzistuar në Maqedoni që nga viti 2002 e është në dispozicion për të gjithë qytetarët, jo vetëm të viktimave, për të njoftuar trafikimin e qënieve njerëzore. Më shumë se 2,000 njerëz kanë shfrytëzuar linjën telefonike në dekadën e kaluar./Indeksonline/