E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulohen të tjera varre antike

Gazeta Shqip

Firma e ndërtimit do të vazhdojë të hedhë themelet

Durrës – Të tjera varre janë nxjerrë në dritë në varrezën antike të zbuluar pak ditë më parë në qytetin bregdetar të Durrësit. Janë 92 varre të periudhës së vonë të antikitetit të vendosura në dy radhë përgjatë një shtrese kulturore gërmimi prej 1.2 metrash, materialet e së cilave do të shërbejnë për të dokumentuar saktë këtë zbulim të ri arkeologjik në qytetin e Durrësit. Që nga dita e hënë materiali i imët arkeologjik do të nisë të pastrohet e dokumentohet, pas zhvendosjes së tij nga vendzbulimi, ndërsa firma e ndërtimit do të vijojë të hedhë themelet e godinës së re të banimit. Arkeologët vlerësojnë se objektet e gjetura në këtë zonë të lagjes 8, pjesë e zonës arkeologjike B, nuk e pengojnë subjektin privat në qëllimin e tij, pasi nuk bëhet fjalë për gjetjen e një monumenti apo të mureve antike. Krahas varreve dhe eshtrave arkeologët kanë gjetur edhe objekte qeramike, qelqi, si dhe monedha bronzi. Kemi një shtresë kulturore prej një metër e njëzet centimetrash, ku janë kapur të dy radhët e varreve. Gërmimi stratigrafik ka përfunduar tashmë dhe do të nisë fillimi i dokumentimit të tij për të parë dhe shtresat kulturore të cilave u përkasin, u shpreh arkeologu Surja Lela. Disa prej varreve do të zhvendosen në muzeun rajonal arkeologjik të Durrësit, i cili aktualisht është nën rikonstruksion, jo vetëm për të qenë objekt i studimeve të mëtejshme arkeologjike dhe antropologjike, por edhe për tu kthyer në objekte të vizitueshme. Varret e gjetura kanë elemente të periudhës helenistike dhe asaj romane, dhe u përkasin periudhave të ndryshme duke dëshmuar rishtas faktin historik se Durrësi është një qytet që është ngritur e ringritur disa herë mbi veten. Një pjesë e mirë e kësaj pasurie arkeologjike mbetet e varrosur nën tokë nga papërgjegjshmëria e ndërtuesve dhe autoriteteve përgjegjëse për mbrojtjen e këtij thesari që paraardhësit kanë ditur të na e sjellin deri në ditët tona, por që pak po shfrytëzohen për turizmin arkeologjik dhe zhvillimin real të qytetit me një histori 3000-vjeçare. V. Qyrfyçi

Zbulohen të tjera varre antike burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›