E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbulohet klubi! Hysaj si Lorik Cana, refuzoi shifrën marramendëse për të luajtur në Superiore

Elseid Hysaj vazhdon të mbetet pa ekip, ndërsa po shqyrton disa oferta për të vazhduar karrierën e tij, tashmë që është lojtar i lirë.

Hysaj është stërvitur për disa ditë me Vllazninë dhe së fundmi është zbuluar se ka marrë një ofertë të çmendur nga një klub i Superiores për të vazhduar karrierën e tij këtu. Raportimet e fundit tregojnë se ka qenë Egnatia ajo që i ka ofruar rreth 500 mijë euro në sezon futbollistit të Kombëtares që të bëhej pjesë e ekipit rrogozhinas.

Një shifër e pabesueshme për kampionatin shqiptar, por të cilën kampionët e Superiores ishin të gatshëm ta shpenzonin për rekordmenin kuqezi. Gjithsesi, Hysaj ka refuzuar, pasi pret të luajë përsëri jashtë Shqipërisë.

Ai nuk është i vetmi lojtar i njohur i Kombëtares që ka marrë oferta të bujshme nga klubet e Superiores ndër vite. Një gjë e tillë i ka ndodhur edhe Lorik Canës, i cili në vitin 2005 mori një ofertë prej 500 mijë dollarësh nga Partizani për t’u bashkuar me të kuqtë. Cana, i cili ishte pranë largimit nga PSG, refuzoi ofertën e ish-presidentit Albert Xhani, pasi po bënte gati transferimin në një klub ku u bë ikonë, Olimpik Marseja.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›