E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulohet shkelja e Mediut

TIRANË - Kontrata aq shumë e përfolur mes ndërmarrjes shtetërore “Meico” dhe kompanisë amerikane “Southern Ammunition Company” për demontimin e një sasie prej 1 milion e 35 mijë e 669 copë municionesh të kalibrit të madh, po verifikohet nga prokuroria, e cila dyshon në legjitimitetin e saj. Pika e nxehtë rreth së cilës u përqendrua për një kohë të gjatë debati për ngjarjen e Gërdecit: nënshkrimi i kontratës nr. 2 që mban datën 28 dhjetor të vitit 2007, paraprakisht rezulton të jetë urdhëruar nga ish-ministri i Mbrojtjes. Urdhri i Mediut që është sekuestruar nga prokuroria, rezulton të jetë dhe “shkëndija” për hetimin e ish-ministrit të Mbrojtjes, mbi dyshimet për konsumimin e veprës penale të shpërdorimit të detyrës. Sipas hetimeve të realizuara nga Prokuroria e Tiranës, që më pas iu referuan dosjes së Prokurorisë së Përgjithshëm, rezultoi se nuk ishte parashikuar nënshkrimi i një kontrate të dytë mes ndërmarrjes “Meico” dhe kompanisë amerikane të demontimit të predhave “SAC”, por ishe një urdhër i ministrit të Mbrojtjes të asaj kohe, ai që autorizonte lidhjen e kontratës së dytë, që si qëllim kishte demontimin e predhave të kalibrit të madh që nisin nga 20 mm deri në 152 mm. Por nga hetimi paraprak del se një vendim i tillë është i pambështetur në vendimin e qeverisë nr. 138, datë 14 mars 2007, fakt ky i cili është pranuar edhe figura të larta të Partisë Demokratike, (ish-ministri i Drejtësisë Aldo Bumçi, gjatë një emisioni televiziv tha se kontrata e dytë ishte e pabazuar në VKM). Nënshkrimin i një kontrate të dytë për demontimin e fishekëve me kalibër të madh bie në kundërshtim me pikën IV të VKM nr. 138, datë 14 mars 2007, ku në fillim të kësaj pike thuhet se “Ministria e Mbrojtjes, me qëllim të reduktimit të stoqeve vjetruar të municioneve të kalibrit të vogël, të nxjerra nga përdorimi e armatimi, mund të realizojë shitje për qëllime çmontimi dhe çmilitarizimi. Nxjerrja e këtij urdhri dhe pasojat që rrjedhin nga zbatimi i tij, që nga nënshkrimi i kontratës dhe të gjithë veprimet e tjera më pas u konsideruan nga grupi hetimor i Prokurorisë së Tiranës si një nxitje, e cila shërbeu si bazë për ngritjen e dyshimit, se ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ka konsumuar elemente të veprës penale “shpërdorim detyre”. Në bazë të këtyre dyshimeve, Prokuroria e Tiranës vendosi kalimin e dosjes pranë Prokurorisë së Përgjithshme, si i vetmi organ hetimor që ka legjitimitetin të hetojë zyrtarë me imunitet, por dhe të vlerësojë vendimet e marra nga Prokuroria e Tiranës. Ngelet ende për t’u përcaktuar nga grupi hetimor i përbërë nga 6 prokurorë dhe 10 oficerë të Policisë Gjyqësore, nëse “shkëndija” e gjetur nga Prokuroria e Tiranës është e vlefshme për vazhdimin e mëtejshëm të hetimeve ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili nga ana e tij ka shprehur gatishmëri për t’u vënë në dispozicion të hetimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›