Gërdec, transportin nuk e bënte Ministria

TIRANË - Një pikë tjetër ku është përqendruar hetimi i prokurorisë për të evidentuar shkelje financiare në veprimtarinë e demontimit të predhave nga firma “Albademil”, është dhe transporti i municioneve drejt Gërdecit. Në kontratën e parë mes “Meico”-s dhe “SAC” është përcaktuar qartë se shpenzimet për transportin e municioneve nga të gjitha depot e Shqipërisë drejt fabrikës së Gërdecit duhet të mbulohen nga blerësi. Transporti që ka vazhduar për disa muaj rresht është bërë me mjetet e ushtrisë, të cilat gjithashtu janë përdorur edhe në fabrikën e demontimit, siç ishte rasti i fadromës që drejtohej nga Ilirian Malçi, e çuar në Gërdec me urdhër ushtarak. Dhe për të gjitha këto shërbime që ushtria i bënte firmës së Delijorgjit, ky i fundit duhet të paguante tarifat e caktuara si për transportin, i cili është i kushtueshëm, ashtu edhe për shërbimet e tjera. Megjithëse kanë kaluar rreth 23 ditë nga nisja e hetimit, prokuroria ende nuk ka gjetur një të dhënë që vërtetojnë se “Albademil” ka paguar transportin e predhave që bëhej nga mëngjesi deri në darkë për të furnizuar fabrikën e demontimit, qoftë edhe duke shkelur sasinë e municioneve të përcaktuar në kontratë. Sipas prokurorisë, rezulton se deri tani nuk ka asnjë dokument që të vërtetojë se “Albademil” ka paguar shërbimin e transportit, fakt i cili mund të rëndojë pozitën e të arrestuarve apo dhe personave të tjerë që kishin si detyrë të mbikëqyrnin këtë proces.