E Martë, 3 Nëntor 2026

Zbulohet tumë ilire në Himarë

Brenda katër vitesh gjenden tri varre tumarale në zonën e Himarës. Orges Feimi, Drejtor i Drejtorisë së Kulturës dhe Trashëgimisë Vlorë, thotë për RTSH se këto janë dëshmi vendbanimesh ilire, 3500 vjet më parë. Ato jo vetëm zgjerojnë dhe plotësojnë hartën e zbulimeve arkeologjike, por rëndësia e tyre lidhet edhe me studimet antropologjike. 

Tumat prehistorike të Himarës konsiderohen si monumentet më befasuese të periudhës së Bronzit dhe Hekurit në Bregdetin Jonian. Kultura e dokumentuar në varret e tumave të Himarës është e njëjtë me atë të pjesës tjetër të Ilirisë. 

Tuma ndodhet në shtratin e përroit të Korramit. Specialistët e D.R.T.K-Vlorë dhe D.SH.A tashmë po punojnë për konservimin dhe rimbulimin e strukturave dhe varreve të tumës, me qëllim shmangien e dëmtimeve të mundshme nga prurjet e përroit përgjatë muajve të dimrit. 

Orges Feimi, Drejtor i Drejtorisë së Kulturës dhe Trashëgimisë Vlorë, konfirmon edhe faktin se zona do të vijojë të jetë pjesë e studimit edhe në vijim për praninë edhe të tjera zbulime arkeologjike.       

/ rtsh.al / 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›