Zbulohet vula 2,000-vjeçare

Arkeologët izraelitë zbuluan në Jerusalem një vulë të rrallë antike. Vlerësohet se ajo shfrytëzohej para 2,000 viteve, në kohën e tempullit të dytë çifut, deklaroi arkeologu Eli Schukron.
"Në vulë shihet mbishkrimi në armenishte: ‘Daka Leja’ – i pastër për Zotin”, thotë Schukron.
Qartazi se me këtë vulë shënjoheshin gjësendet që asokohe në atë tempull çifut përdoreshin gjatë shërbimeve fetare kushtuar Zotit.
Vula është punuar nga deltina e pjekur dhe ajo ka një diametër prej afro dy centimetrash.
"Të ngjan në një pullë paksa më të madhe”, e përshkruan arkeologu izraelit.
Ndryshe, tradita e shënjimit të gjësendeve si të pastra është përshkruar edhe në tekstet e vjetra religjioze çifute.
“Kjo është hera e parë që kemi gjetur një gjësend të tillë nga ai tempull”, sqaron Schukron.
Deri te zbulimi erdhi gjatë punimeve afër Murit të Lotëve, në pjesën e vjetër të Jerusalemit. Tempulli i Dytë i çifutëve ishte shkatërruar në vitin 70 të e.s., gjatë kryengritjes kundër romakëve. Muri i Lotëve paraqet mbetjen e murit perëndimor të tempullit të dikurshëm, dhe ai për çifutët është vendi më i shenjtë për lutje.