E Shtunë, 31 Tetor 2026

Negociojnë polisat

Marrëveshja për lëvizjen e lirë, e cila filloi të zbatohet nga e hëna, ka nxitur edhe një proces të ri bisedimesh. Delegacionet e Kosovës dhe të Serbisë tashmë i kanë filluar diskutimet në Vjenë në përpjekje për të ulur çmimet e polisave të sigurimeve për të cilat po ankohen qytetarët. Edita Tahiri shpreson për marrëveshje të shpejtë, të ngjashme me Shqipërinë dhe Maqedoninë.

Pala kosovare dhe ajo serbe kanë filluar të bisedojnë sërish rreth lëvizjes së lirë.

Implementimi i marrëveshjes për lëvizjen e lirë që filloi të hënën duket se po zhvillohet pa ndonjë pengesë, por qytetarët janë ankuar për tarifa të larta të polisave të sigurimeve.

Në bazë të marrëveshjes aktuale, qytetarët që hyjnë nga Kosova në Serbi dhe anasjelltas duhet të paguajnë nga 60 deri në 100 euro për 15 ditë për sigurim.

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri dhe shefja e delegacionit kosovar në bisedimet Kosovë-Serbi ka deklaruar se palët kanë filluar tashmë bisedimet për të ulur çmimet e sigurimeve.

Ajo ka bërë të ditur se përfaqësues të kompanive të sigurimeve nga Kosova dhe Serbia janë takuar në Vjenë, me ndërmjetësim të Bashkimit Europian.

Tahiri ka deklaruar për Radion Europa e Lirë se tarifat e sigurimeve për lëvizjen e lirë do të jenë më të lira dhe se procedurat do të lehtësohen.

“Bisedimet kanë filluar. Javën e kaluar, kompanitë apo byrotë e kompanive të sigurimeve të Kosovës dhe Serbisë, së bashku me palën e tretë, BE’në, janë takuar në Vjenë pikërisht për këtë çështje, për të diskutuar arritjen e një marrëveshjeje komerciale, e cila në fakt do të ndjekë modelin që ka Kosova me Shqipërinë dhe me Maqedoninë. Unë jam e bindur se një marrëveshje e tillë do të jetë shumë shpejt, pasi që edhe pala serbe ka dhënë sinjale gatishmërie për këtë zgjidhje”, ka thënë Tahiri.

“Ne kemi kërkuar tarifa shumë më të përshtatshme për qytetarët, por kjo ka qenë kërkesë e palës serbe. Në emër të arritjes së marrëveshjes, ne i kemi dhënë radhë kësaj zgjidhjeje, por kjo është vetëm e përkohshme”, ka shtuar ajo.

Tahiri ka akuzuar palën serbe për çmimet duke thënë se pala kosovare ka kërkuar tarifa të tjera.

“Ne kemi kërkuar tarifa shumë më të përshtatshme për qytetarët, por kjo ka qenë kërkesë e palës serbe. Në emër të arritjes së marrëveshjes, ne i kemi dhënë radhë kësaj zgjidhjeje, por kjo është vetëm e përkohshme”, ka thënë Tahiri.

E, shefi i ekipit negociator serb, Borko Stefanovic duke komentuar çmimet e shtrenjta, ka deklaruar se nuk është pala serbe ajo që ka caktuar çmime të larta.

Sipas tij, sigurimi prej 105 eurosh është caktuar nga qendra europiane e sigurimeve, e jo nga shteti serb.

Stefanovic ka thënë se asociacioni i kompanive të sigurimeve në Serbi është duke përgatitur një marrëveshje teknike, e cila do të rregullojë çështjen e njohjes së sigurimeve në pikat administrative të Kosovës dhe Serbisë duke thënë se kjo do të përfundojë brenda një afati të shkurtër.

Për këtë temë, negociatori serb ka folur në Kuvendin e Serbisë, ku ka diskutuar rreth marrëveshjeve që pala serbe ka bërë me Kosovën në Bruksel.

Stefanovic ka theksuar se marrëveshja IBM, të cilën ai e ka quajtur marrëveshje për pikëkalimet administrative, është më e detajuar që është bërë deri më tani, e që sipas tij, nuk e cenon Kushtetutën e as ligjet e Serbisë.

“Duke dashur t’u ikim të gjitha dykuptimësive, kemi bërë tërë atë që kemi mundur duke synuar që t’i mbrojmë interesat tona dhe me këtë sikur edhe në marrëveshjet e kaluara, nuk kemi cenuar Kushtetutën, e as ligjet Serbisë”, ka thënë Stefanovic.

Ai edhe një herë ka konfirmuar se në pikëkalimet administrative me Kosovën, do të ketë kontroll të përbashkët pa shfaqje të simboleve, pa flamurë , stemë dhe pa gurë kufitarë.

“Në këto pikëkalime do të jetë policia serbe, përfaqësues të Ministrisë së Financave të Serbisë , policia e Kosovës dhe dogana në Merdar dhe në Konçul, sikurse edhe tani, e në Jarinje dhe Bërnjakë dëshmitarë doganorë, të cilët do të kenë një rol të vëzhguesit, sepse EULEX’i do të ketë rol ekzekutiv”, ka thënë Stefanovic.

Raundi i ri, pas festës

Stefanovic ka bërë të ditur se dialogu do të vazhdojë pas Vitit të Ri, nëse sipas tij, "pala tjetër ndryshon qëndrimin e saj rreth Rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara".

“Sipas të gjitha gjasave, pas Vitit të Ri, do të vazhdojmë negociatat me Prishtinën. Por, për të ardhur deri te një gjë e tillë, duhet të qartësohet situata rreth Rezolutës 1244”, ka thënë Stefanovic.

Pala serbe ka kërkuar përfshirjen e Rezolutës së OKB’së në përfaqësimin e Kosovës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›