E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zelanda e Re i debon obezet

Shumë i shëndoshë për të jetuar në Zelandën e Re. Arsyeja përse kuzhinieri afrikano-jugor, Albert Buitenhuis, konsiderohet se nuk ka një standard të pranueshëm shëndetësor janë 130 kilogramët e tij.

Edhe pse ka humbur 30 kg, që prej vendosjes në Christchurch, 6 vjet më parë, Buitenhuis sërish përballet me dëbimin nga vendi. Kur mbërriti në këtë qytet, në 2007-n, ai peshonte 160 kg. Bashkëshortja e Buitenhuis, Marthie, thotë se deri tani vizat e tyre të punës ishin rinovuar pa shumë vështirësi. “Kemi aplikuar rregullisht çdo vit, por kurrë nuk na e kanë përmendur peshën e Albertit apo shëndetin e tij, si pengesë për vizën, - thotë ajo, - dhe në fillim ka qenë akoma më i shëndoshë”. Çifti i ka dërguar një letër ministrit të Emigracionit, ku kërkon të rishikohet rasti i tij dhe ku theksohet fakti, që burri ka rënë në peshë. Një zëdhënës i Ministrisë në fjalë është shprehur se aplikimi i Buitenhuis u refuzua për shkak se obeziteti i tij e ekspozonte ndaj rrezikut të komplikacioneve të ndryshme, të cilat përfshijnë diabetin, hipertensionin dhe sëmundjet e zemrës. “Është e rëndësishme, - sqaroi ai, - që emigrantët të kenë një standard të pranueshëm shëndeti, në mënyrë që të minimizohen kostot dhe pretendimet ndaj shërbimeve vendase të Shëndetësisë. Zelanda e Re është një nga vendet e zhvilluara, me problemet më të mëdha të obezitetit në botë. Gati 30% e popullsisë së saj konsiderohet të jetë mbipeshë. / Top Channel

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›