Zelensky: Lufta ruse nisi me Krimenë, duhet të përfundojë me çlirimin e saj

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se lufta ruse filloi me Krimenë dhe duhet të përfundojë me çlirimin e saj. Një varg shpërthimesh goditën bazën ajrore ruse në Krime duke vrarë një person. Sipas BBC, Presidenti ukrainas nuk dha asnjë koment lidhur me shpërthimet, ndërsa theksoi se Krimeja është ukrainase dhe populli i tij nuk do heqë dorë prej saj.
“Lufta në Ukrainë filloi me Krimenë dhe duhet të përfundojë me çlirimin e saj. Krimea është ukrainase dhe ne kurrë nuk do të heqim dorë nga ajo“, tha Zelensky.
Rusia ka minimizuar shpërthimet dhe një këshilltar i lartë ukrainas mohoi se Ukraina ishte përgjegjëse. Krimea është zyrtarisht pjesë e Ukrainës, por u aneksua nga Rusia në vitin 2014 pas një referendumi të cilin komuniteti ndërkombëtar e sheh si të paligjshëm. Shumë ukrainas e shohin këtë si fillimin e luftës së tyre me Rusinë.
/rtsh.al/