Zelensky: Qyteti i Bakhmutit është shkatërruar plotësisht

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka pohuar qyteti i Bakhmut është shkatërruar plotësisht, por ka mohuar që Rusia e ka pushtuar qytetin.
I pyetur të dielën nëse forcat e tij kishin kontrollin e qytetit lindor të Ukrainës, Zelensky tha: “Është për të ardhur keq, është një tragjedi, por sot Bakhmut është vetëm në zemrat tona”.
Zyra e tij më vonë sqaroi se ai nuk kishte thënë se qyteti kishte rënë, sipas BBC.
Një ditë më parë, paraushtarakët rusë Wagner pretenduan se e kishin pushtuar qytetin. Në një video, themeluesi i saj Yevgeny Prigozhin tha se forcat e tij kishin kontrollin e të gjithë qytetit.
Qeveria e Ukrainës e mohoi shpejt këtë.
Analistët thonë se Bakhmut ka pak vlerë strategjike për Moskën, por kapja e tij do të ishte një fitore simbolike për Rusinë pas betejës më të gjatë të luftës në Ukrainë deri më tani.
Zyrtarët perëndimorë vlerësojnë midis 20,000 dhe 30,000 trupa ruse janë vrarë ose plagosur në Bakhmut, ndërsa ushtria e Ukrainës ka paguar gjithashtu një çmim të rëndë.
/rtsh.al/