Zelensky dhe von der Leyen diskutojnë në Romë hapat e Ukrainës drejt anëtarësimit në BE

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen kanë diskutuar hapat e Ukrainës drejt anëtarësimit në Bashkimit Evropian.
Këtë diskutim Zelensky dhe von der Leyen e mbajtën gjatë një takimi në Romë, ndërkohë që liderët botërorë po i japin lamtumirën e fundit Papa Françeskut.
“Ju mund të mbështeteni te ne sa i përket bisedimeve për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme. Sot, ne diskutuam gjithashtu hapat që po ndërmerr Ukraina për të fituar vendin e saj në familjen tonë të kombeve”, ka bërë të ditur von der Leyen.
Bashkimi Evropian ka qenë gati të hapë grupin e parë të bisedimeve të pranimit me Ukrainën që në janar, por Hungaria bllokoi vendimin e Unionit.
Budapesti është zotuar të bllokojë hapjete e mëtejshme të grupimeve për Ukrainën derisa të përfundojnë “konsultimet” me popullsinë hungareze për këtë çështje.
Nga ana e tij, kryeministri Viktor Orbán tashmë ka votuar publikisht kundër anëtarësimit të Ukrainës në BE.
Nëse Hungaria vazhdon të bllokojë negociatat e BE-së me Ukrainën, Moldavia mund të përparojë më shpejt në rrugën e saj të pranimit.
/rtsh.al/