Zelensky njofton projektligjin e ri për organet antikorrupsion pas protestave

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se ka miratuar një projektligj të ri që garanton lirinë e dy organeve antikorrupsion në Ukrainë.Njoftimi erdhi ndërsa vendi u përfshi nga protestat që kundërshtonin miratimin e një ligji që sipas kritikëve kufizonte pavarësinë e dy agjencive.
Këtë të enjte Zelensky duket se u tërhoq nga ai ligj, duke thënë se projektligji i ri kishte qëllim të mbronte pavarësinë e Byrosë Kombëtare Kundër Korrupsionit të Ukrainës NABU dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar Antikorrupsion SAP dhe t’i mbronte ato nga ndikimi rus.
“Është e rëndësishme që të ruajmë unitetin”,- tha presidenti ukrainas, ndërsa theksoi se projektligji i ri ishte i balancuar, por nuk dha detaje.
Ndërkohë ligji i miratuar të martën vendoste dy agjencitë antikorrupsion të Ukrainës nën kontrollin e prokurorit të përgjithshëm, i cili emërohet nga presidenti.
Zelensky e justifikoi vendimin e tij për të kufizuar kompetencat e dy organeve duke përmendur ndikimin rus, por ai prit me protesta masive, të parat që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Të mërkurën mijëra ukrainas dolën në rrugët e qyteteve, përfshirë Kievin duke kundërshtuar vendimin e qeverisë. Ligji i miratuar të martën u kritikua edhe nga Brukseli, por këtë të enjte, BE mirëpriti vendimin e qeverisë ukrainase për të ndërmarrë veprime kundër tij.
Tërheqja e Zelenskyt erdhi një ditë pasi negociatorët nga Rusia dhe Ukraina u takuan në Stamboll për një raund të tretë bisedimesh, nga të cilat nuk u arrit ndonjë rezultat i rëndësishëm dhe dy vendet vijojnë sulmet ndaj njeri-tjetrit.
Sakaq mëngjesin e së enjtes (24 korrik) avionë rusë lëshuan dy bomba mbi qytetin ukrainas të Hrkivit, duke plagosur të paktën 37 persona, sipas zyrtarëve rajonalë.
/rtsh.al/