Franca do të njohë Shtetin e Palestinës, Macron bën njoftimin në X, vendimi zyrtar në shtator

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka bërë të ditur të enjten vendimin e Francës për të njohur Shtetin e Palestinës. Njoftimi zyrtar do të bëhet në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në shtator.
Nëpërmjet një postimi në platformën sociale X, Macron theksoi angazhimin historik të Francës për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme.
Macron theksoi se sot, nevoja urgjente është “t’i japim fund luftës në Gaza dhe të shpëtojmë popullsinë civile”.
Ai bëri thirrje për zbatimin e menjëhershëm të një armëpushimi, lirimin e të gjithë pengjeve, ofrimin e ndihmës humanitare masive për popullin e Gazës.
Presidenti francez shtoi se “është thelbësore të sigurohet demilitarizimi i Hamasit, si dhe të garantohet siguria dhe rindërtimi i Gazës.”
Vizioni për dy shtete dhe sigurinë rajonale
Macron, në njoftimin e tij në X, nënvizoi se paqja është e mundur dhe se ndërtimi i Shtetit të Palestinës është thelbësor.
Ai theksoi se Palestina duhet të sigurojë qëndrueshmërinë e saj, të pranojë demilitarizimin dhe të njohë plotësisht Izraelin, në mënyrë që të kontribuojë në sigurinë e të gjithëve në Lindjen e Mesme.
“Nuk ka alternativë tjetër,” theksoi ai. “Francezët duan paqe në Lindjen e Mesme. Varet nga ne, francezët, së bashku me izraelitët, palestinezët dhe partnerët tanë evropianë dhe ndërkombëtarë, të tregojmë se kjo është e mundur.”
Macron përmbylli mesazhin e tij duke shprehur vendosmërinë për të ecur përpara, në dritën e angazhimeve që mori nga Presidenti i Autoritetit Palestinez, duke shtuar se me “besim, qartësi dhe angazhim, ne do të fitojmë paqen.”
/rtsh.al/