E Martë, 3 Nëntor 2026

Zelenskyy sinjalizon lëkundje në udhëheqjen ushtarake të Ukrainës

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se po mendon të shkarkojë oficerin më të lartë ushtarak të vendit, si pjesë e një ndryshimi më të gjerë të lidershipit, një mundësi kjo që ka tronditur kombin që po lufton për t’i dhënë fund pushtimit të Rusisë dhe gjithashtu ka shqetësuar aleatët perëndimorë të Ukrainës.

Zelenskyy konfirmoi në një intervistë me transmetuesin italian RAI TV të publikuar të dielën vonë se ai po mendonte të largonte gjeneralin, Valerii Zaluzhnyi, komandanti i përgjithshëm popullor i forcave të armatosura të Ukrainës. Ai tha se po mendonte masën për të siguruar që vendi të mbetet i udhëhequr nga individë që janë “të bindur për fitoren” kundër Rusisë.

“Një rivendosje, një fillim i ri është i nevojshëm,” tha Zelenskyy. Rishikimi “nuk ka të bëjë me një person të vetëm, por me drejtimin e udhëheqjes së vendit”.

“Unë jam duke menduar për këtë zëvendësim, por nuk mund të thuash këtu se kemi zëvendësuar një person të vetëm,” tha Zelenskyy.

“Kur flasim për këtë, kam parasysh një zëvendësim të një sërë drejtuesish shtetërorë, jo vetëm në një sektor të vetëm si ushtria. Nëse duam të fitojmë, duhet të shtyjmë të gjithë në të njëjtin drejtim, të bindur për fitoren. Nuk mund të dekurajohemi, e të na bien krahët. Ne duhet të kemi energjinë e duhur pozitive.”

Komentet e Zelenskyy ishin deklaratat e tij të para për shkarkimin e mundshëm të Zaluzhnyit. Largimi i mundshëm i gjeneralit tashmë ka shkaktuar një trazirë në Ukrainë dhe ka gëzuar Kremlinin, ndërsa lufta i afrohet përvjetorit të saj të dytë.

Zaluzhnyi respektohet gjerësisht në mesin e anëtarëve të shërbimit ukrainas dhe konsiderohet një hero kombëtar. Atij i atribuohet ngecja e pushtimit të plotë të Rusisë në ditët e para të luftës dhe shtyrja me mjeshtëri e trupave të Moskës.

Kryebashkiaku i Kievit, Vitalii Klitschko kritikoi mundësinë e largimit të Zaluzhnyit, duke thënë se ishte për shkak të udhëheqjes së gjeneralit që “shumë ukrainas u besojnë vërtet forcave të armatosura”.

“Sot është një moment kur politika nuk mund të mbizotërojë mbi arsyen dhe interesat e vendit,” tha Klitschko në mediat sociale. Kryebashkiaku i kryeqytetit të Ukrainës ka qenë një kritik i zëshëm i Zelenskyy. Presidenca nga ana e saj ka akuzuar zyrën e Klitschkos për mungesë rezultatesh.

Është e paqartë se kush mund të zëvendësojë Zaluzhnyin dhe nëse pasardhësi i tij do të kishte të njëjtin nivel respekti nga trupat e Ukrainës dhe udhëheqësit e huaj të mbrojtjes. Shkarkimi i tij mund të rrezikojë degradimin e moralit në një kohë kritike të luftës.

Sipas raporteve të mediave ukrainase dhe perëndimore, Zelenskyy i kërkoi Zaluzhnyit të jepte dorëheqjen javën e kaluar, por gjenerali refuzoi. Zaluzhnyi nuk i ka komentuar publikisht raportet.

Tensionet mes tij dhe presidentit janë rritur që kur një kundërofensivë e shumëpritur ukrainase, e cila filloi në qershor me ndihmën e një sërë armësh perëndimore, nuk arriti të prodhonte fitime të mëdha territori në zonat e pushtuara nga Rusia, duke zhgënjyer aleatët. AP

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›