E Diel, 1 Nëntor 2026

Zemani s’mund të ndërpresë marrëdhëniet me Kosovën

Shqetësimet për deklaratat e presidentit të zgjedhur të Çekisë, Milosh Zeman, se “nuk e njeh pavarësinë e Kosovës” dhe se “do të ndërpresë marrëdhëniet diplomatike me të”, i ul analisti çek, Filip Tesar.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se për punët diplomatike është kompetente qeveria dhe jo presidenti. Tesar po ashtu thotë se një hap i tillë do të nxiste edhe reagimin e BE-së.

“Mendoj se Zemani, para së gjithash, është një njeri, i cili shumë shpejt thotë gjëra të caktuara, nganjëherë thjesht për hir të populizmit. Për punët dhe marrëdhëniet diplomatike është kompetente qeveria. Andaj, presidenti i republikës nuk mund t’i ndërpresë në mënyrë të tillë marrëdhëniet me një shtet.Pyetja është se a do të mund të formojë qeverinë gjatë mandatit të tij me social-demokratët, përfaqësues të të cilëve janë shprehur po ashtu për ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën.Mirëpo, edhe në atë rast, konsideroj se nuk do t'i ndërpriste, pasi do t’i tërhiqej vërejta në mënyrë pragmatike nga partnerët në Bashkimin Evropian se një gjë e tillë mund të ndikojë në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor”, tha Tesar./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›