PDK pozicionohet si parti e djathtë

( E plotësuar) Kryetari i porsazgjedhur i PDK’së, Hashim Thaçi, gjatë diskutimeve për ndryshimet në Statut, ka propozuar profilizimin ideologjik të partisë.
“Propozoj që PDK të profilizohet si parti e Qendrës së Djathtë”, ka thënë Thaçi.
Vetëm dy delegatë kanë qenë kundër këtij profilizimi, të gjithë të tjerët e kanë mbështetur.
Po ashtu, delegatët kanë miratuar edhe ndryshimet tjera në Statutin e PDK’së.
---
Kongresi i Gjashtë i PDK-së, pas një pauze një orëshe, i ka vazhduar punimet.
Sipas Express aktualisht delegatët po diskutojnë rreth ndryshimeve në Statutin e PDK-së.
Risia e ndryshimeve statutore është formimi i Asamblesë së të Urtëve, organ ky që do të merret me zhvillimet strategjike të partisë dhe ku pretendohet se do të jenë figura emblematike të PDK-së.
....
Në votimin për Kryetar të PDK-së kanë marrë pjesë 719 delegatë, nga ta 718 kanë votuar pro kandidaturës së Hashim Thaçit, derisa vetëm 1 delegat ka votuar kundër.
Në fjalën e tij para delegatëve, Thaçi i ka falënderuar për besimin e dhënë.
“Ju falënderoj për besimin që ma keni dhënë”, ka thënë ai.
“Në këto 13 vite PDK ka kaluar neper sfida dhe ka qenë përballë vendimeve të rënda, por bashkërisht i kemi tejkaluar këto situata. Kjo është vlerë e PDK-së”, ka pohuar Kryetari i PDK’së.
Më pas, ai i ka siguruar ata se partia, nën udhëheqjen e tij, do t’i fitojë zgjedhjet.
“Të nderuar delegatë, ju siguroj se si Kryetar i PDK-së do t’i fitojmë zgjedhjet lokale dhe nacionale”, raporton Express.
Një fjalë të shkurtër ka mbajtur edhe zëvendësi i deritashëm i Thaçit, Hajredin Kuçi.
“Jemi me fat që kemi një Lider që reflekton unitetin e partisë”, tha ai.
Tani delegatët kanë dalë në pauzë, për t’u kthyer më pas për procesin e zgjedhjes së Këshillit Drejtues të PDK-së.
....
Hashim Thaçi është rikonfirmuar në krye të PDK-së, përmes votimit të hapur.
Ai u propozua kandidat për Kryetar nga Bajram Rexhepi.
Por, para se të votohej, Thaçi ka kërkuar nga delegatët që votimi për Kryetar të bëhet me votë të fshehtë, e jo me aklamacion. Ky propozim është hedhur në votim, dhe përveç Thaçit, të gjithë delegatët kanë votuar që votimi të jetë i hapur, raporton Express.
Dhe kështu ka ndodhur.
Vetëm një delegat ka votuar kundër Thaçit, të gjithë kanë votuar pro kandidatrës së tij.
Aktualisht, Kryetari i sapozgjedhur i partisë më të madhe në vend po mban një fjalim para të pranishmëve.
.....
Hashim Thaçi është zgjedhur Kryetar i PDK-së, unanimisht, me aklamacion, raporton Express.
.....
Kryesia e Punës ka hapur diskutimin për delegatët e PDK-së.
Të pranishmve iu ka drejtuar Rexhep Hoti.
Ai ka thënë se Jakup Krasniqi duhet të jetë i pranishëm në strukturat udhëheqëse të partisë, pavarësisht se refuzoi të jetë pjesë e Kongresit Zgjedhor.
“Nëse nuk përfshihen gjithë figurat kyçe të PDK-së, nuk kemi bërë asgjë”, tha Hoti,citon Express, i cili në mandatin e kaluar ishte deputet i PDK-së për një kohë të shkurtër.
....
Para pak çastesh ka nisur punimet Kongresi i Gjashtë Zgjedhor i Partisë Demokratike të Kosovës.
Hapjen e punimeve e ka bërë Basri Musmurati, derisa më pas është zgjedhur Kryesia e Punës.
Për këtë detyrë janë zgjedhur Enver Hoxhaj, Hajredin Kuçi, Flora Brovina, Vlora Çitaku, Xhavit Haliti, Ganimete Musliu, Arsim Bajrami, Drita Kadriu dhe Ramë Buja, transmeton Express.
Në agjendën e Kongresin tash janë miratimi i ndryshimeve statutare, derisa në mesditë pritet të zgjidhet Kryetari i partisë dhe më pas do të votohet për Këshillin Drejtues.
Deri më tash Hashim Thaçi është kandidati i vetëm për postin e të parit të PDK-së./Indeksonline/