E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zeneli, besnik Helsinkit

Erfan Zeneli mbetet në Helsinki. Mesfushori kosovar e ka vazhduar kontratën me klubin finlandez për dy vjet, deri në fund të 2013. 24 vjeçari ndihet i lumtur që do të qëndrojë tek kampioni finlandez. Ai synon trofe të tjerë me Helsinkin në Finlandë dhe paraqitje të mira me këtë ekip në Ligën e Kampionëve.

Erfan Zeneli ka vendosur t’i mbetet besnik Helsinkit. Mesfushori kosovar e ka vazhduar për dy vjet kontratën me kampionin e ri finlandez. Futbollisti vushtrrias ndihet mirë që do të mbetet pjesë e ekipit nga kryeqyteti finlandez, me të cilin synon t’i vazhdojë sukseset.

“Sapo nënshkrova për dy vjet me Helsinkin. Po ndihem mjaft mirë. Do të jem pjesë e këtij ekipi deri në fund të vitit 2013. Ma ofruan një kontratë mjaft të mirë, më të majme se atë që e kisha deri tash, kështu që vendosa të mbetem këtu. Pasi që nuk kishte ndonjë ofertë serioze nga klubet evropiane, e pash të udhës që është më mirë të mbetem këtu”, deklaroi Zeneli për Express.

Helsinki lufton gjithmonë për të fituar tituj, kështu që këtë karakter e ka edhe Zeneli. Gjithashtu, pjesëmarrja në garat evropiane ishte një tjetër arsye që e shtyri atë të qëndrojë në Finlandë.

“Helsinki gjithmonë lufton për vendin e parë, për të fituar trofe. Ky fakt më pëlqen shumë. Gjithashtu, pjesëmarrja e rregullt në Champions League e bëri të veten. Sezonin e ardhshëm synojmë të shkojmë edhe më larg në këtë kompeticion. Shpresoj të kemi short më të mirë”, vazhdoi Zeneli.

Futbollisti kosovar pëlqehej nga disa skuadra nga Gjermania, Italia, Zvicra e Austria, por nuk pati diçka konkrete, kështu që qëndroi në Helsinki. Mirëpo, edhe pse ka nënshkruar kontratë, ai tregon se mund të largohet nga Finlanda, nëse arrin ndonjë ofertë e mirë dhe nëse klubet merren vesh.

Ish reprezentuesi U-21 i Finlandës ka shkëlqyer këtë sezon me skuadrën e Helsinkit. Ai ka realizuar 8 gola në elitën e futbollit finlandez dhe 4 për Kupë, derisa ka dhuruar 13 asistime për bashkëlojtarët e vet. Së fundmi, Erfani është ftuar në një kamp që organizohet nga përfaqësuesja e Finlandës, ku përfshihen futbollistët finlandezë që luajnë në shtetet skandinave.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›