Zereci: Pr.buxheti për Gardën e Republikës, rritje më 9% krahasuar me vitin e kaluar

TIRANË, 18 nëntor /ATSH/ Drejtori i përgjithshëm i Gardës së Republikës, Simon Zereci, paraqiti sot në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, projektbuxhetin e Gardës së Republikës për vitin 2026.
Zereci tha buxheti për vitin 2026 për Gardën e Republikës do të jetë në shumën 2,769 miliardë lekë dhe një rritje me 9% krahasuar me buxhetin e viti të kaluar.
Duke bërë një detajim të shpenzimeve, Zereci tha se pjesa më e madhe e shpenzimeve shkon për paga dhe sigurime shoqërore.
“Për shpenzimet e personelit, paga dhe sigurime shoqërore buxheti në total i parashikuar për këto shpenzime është në shumën 2,257 miliardë lekë me një rritje me 7,1% në raport me buxhetin e vitin 2025. Këto shpenzime në total zënë 81,5% të buxhetit”, tha kreu i Gardës.
“Mallra, shërbime, transferime buxheti në total është në shumën 411,9 milionë lekë me një rritje me 10,8%. Në raport me buxhetin në total zënë 14,9%”, tha ai.
Sa i përket shpenzimeve për investime, Zereci shpjegoi se buxheti në total i parashikuar është në shumën 100 milionë lekë, ose me një rritje 66,7% në raport me 2025. Këto shpenzime zënë 3,6% të buxhetit.
Zereci nënvizoi edhe tre projektet më të rëndësishme të parashikuara për shpenzime: “Blerja të mjeteve të transportit në 60 milionë lekë; Blerje të pajisjeve të ndryshme për funksionimin normal të përditshëm të aktivitetit në ambientet punës, 30 milionë lekë; dhe blerja armatimesh në 10 milionë lekë”, tha ai.
Zereci shtoi se referuar kërkesave të Gardës së Republikës dhe tavaneve të parashikuara rezulton se me këto tavane garantohet mbështetja dhe funksionimi normal i institucionit.
/m.q/j.p/r.e/