“Zero tolerancë ndaj shtetasve që kryejnë krime të dhunshme”, SHBA anulon vizat për shtetasit e huaj që kërcënojnë sigurinë kombëtare

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka njoftuar se, nën administratën e Presidentit Donald Trump, Departamenti i Shtetit ka filluar të ndërmarrë masa për anulimin e vizave të shtetasve të huaj që kryejnë vepra penale, nxisin dhunë ndaj qytetarëve amerikanë ose përbëjnë kërcënim për sigurinë kombëtare të SHBA-së.
Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Ambasada Amerikane thekson se “Nën udhëheqjen e Presidentit Trump, Departamenti i Shtetit po anulon vizat e shtetasve të huaj që kryejnë krime, nxisin dhunë ndaj amerikanëve ose kërcënojnë sigurinë tonë kombëtare.”
Sipas autoriteteve amerikane, ky vendim synon të forcojë kontrollin ndaj shtetasve të huaj që ndodhen ose kërkojnë të hyjnë në territorin amerikan dhe që mund të përbëjnë rrezik për sigurinë publike apo kombëtare.
/rtsh.al/